Zgjedhjet në PS nisin nga Elbasani, Balla kërkon hapje të partisë

AKTUALITET


Pas zgjedhjeve të 30 qershorit, Partia Socialiste i është nënshtruar një fushate ristrukturimi i të brendshëm që do të shtrihet në të gjitha degët e saj. Strukturat e PS në Elbasan kanë qenë të parat që kanë zhvilluar zgjedhjet. Ky proces zgjedhjesh fillon të shtunën (sot) në çdo organizatë, përfundon deri në fund-janarin e ardhshëm në Kongres.

Në mbledhjen e Asamblesë së Elbasanit, Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla ka bërë të ditur se kjo fushatë zgjedhore brenda partisë do të jetë ndryshe nga herët e tjera dhe se synimi kryesor është hapja e partisë duke thithur persona me kontribute.


“Objektivi ynë për këto zgjedhje të brendshme duhet të jetë realizimi i procesit më të thellë të komunikimit të organizimit dhe të hapjes së PS që kemi realizuar ndonjëherë në periudhat e mëparshme ne zgjedhjet tona të brendshme.

Kjo kërkon që të gjithë ne deputetët, por do të jenë edhe ministrat e Qeverisë, kryetarët e bashkive, si dhe të gjithë të zgjedhurit në këshillat bashkiakë do të shkojnë në çdo organizatë socialiste në të gjithë territorin e Elbasanit. Organizatat duhet të kenë mundësinë e komunikimit të drejtpërdrejtë me ne, dhe në çdo njësi administrative të krijohet një procesi komunikimit e drejtpërdrejtë me njerëzit.

Duhet të ketë një debat konstruktiv në çdo organizatë me anëtarët e partisë. Debat me simpatizantët dhe me çdo qytetar që dëshiron të marrë pjesë në bashkëbisedim, pavarësisht bindjeve të veta dhe përkatësisë së vet, debat në çdo lagje, në çdo fshat në çdo njësi administrative dhe bashki. Forumet e Debatit Qytetar do të jenë një risi e këtij Procesi të ri komunikimi e ballafaqimi mes të zgjedhurve tanë dhe komuniteteve.

Zgjedhjet tona të brendshme që startojmë sot nuk do t’i ngjajnë zgjedhjeve të brendshme të viteve të shkuara, por duhet të jenë një proces debati kombëtar, jo vetëm partiak. Ky proces përmban një hapje të re shumë serioze, shumë reale të Partisë Socialiste në të gjitha nivelet tona të organizimit e në të gjitha nivelet e administrimit të punëve të këtij vendi ndaj njerëzve të zotë, të gatshëm të japin kontributin e tyre për Shqipërinë”, tha Balla.

Ai theksoi se PS do të bashkëpunojë me opozitën parlamentare dhe jo-parlamentare në Komisionin e posaçëm të Reformës Zgjedhore për të garantuar që zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021 të zhvillohen me një Kod të ri Elektoral.




Skip to toolbar