Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare që nga shpërndarja e materialeve zgjedhore që përfshijnë kutitë e votimit, fletët e votimit, dhomat e fshehtësisë dhe materiale të tjera që lidhen me procesin zgjedhor, deri tek numërimi i votave.
Në total janë prodhuar 3 534 792 fletëvotimi për zgjedhësit brenda vendit duke i shtuar 2% mbi numrin e zgjedhësve.
Për këto zgjedhje janë regjistruar 53 parti politike si subjekte zgjedhore, mes tyre dhe disa parti të reja dhe 3 koalicione. Në fletën e votimit janë 11 subjekte, ku përfshihen parti politike dhe tre koalicione:
1-PD Aleanca për Shqipërinë Madhështore
2-Lëvizja Bashkë
3-Lëvizja Atdheu
4- Koalicioni Euroatlantik
5- Partia Socialiste
6-Nisma Shqipëria Bëhet
7-Aleanca Kombëtare Shqiptare
8-Aleanca për Demokracinë e Re
9-Djathtas për Zhvillim
10-Partia Mundësia
11-PSD
Çdo forcë politike apo koalicion, sipas formulës së re elektorale, ka 186 kandidatë për deputetë, ku 46 janë nga lista e mbyllur dhe 140 nga lista e hapur.
Në të gjithë vendin janë 12 zona zgjedhore dhe numri i mandateve të deputetëve për çdo zonë varion nga 3 mandate për Qarkun e Kukësit dhe deri në 37 mandate për Qarkun e Tiranës.
Për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, votimi dhe numërimi elektronik do të jetë në të gjitha qendrat e votimit të Njësisë nr. 10 në Tiranë dhe të bashkisë së Vorës.
Në të gjithë vendin KQZ ka ngritur 93 Komisione Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ). Sa i takon grupeve të numërimit do të jenë 10 për Tiranën, 5 për Fierin, 4+1 rezervë për Elbasan dhe Kukës, 4+1 rezervë për Durrës dhe Gjirokastër, 2+1 rezervë për Korçë dhe Dibër, 3+2 rezervë për Vlorë dhe Lezhë dhe 2+2 rezervë për Shkodër dhe Berat pra 37 në total.
Në zgjedhjet e sotme, qytetarët me të drejtë vote do të identifikohen elektronikisht përmes pajisjeve PEI.
Gjithashtu, KQZ ka vendosur përdorimin e sistemit të transmetimit video në kohë reale të monitorimit të numërimit të votave nga jashtë dhe brenda vendit nga çdo vend i numërimit të votave, në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
SPAK, KQZ dhe Prokuroria e Përgjithshme kanë ngritur një Task-Forcë të përbashkët për të garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Gjithashtu, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash dhe ka trajnuar 6,838 efektivë me uniformë dhe 813 specialistë për hetimin e krimeve zgjedhore dhe ruajtjen e objekteve zgjedhore.
Janë 5316 punonjës policie dhe automjete policie do të angazhohen për ruajtjen e objekteve zgjedhore dhe shoqërimin e materialeve. Me dorëzimin në mëngjes të objekteve që shërbejnë si qendra votimi, punonjësit e Policisë do të tërhiqen në vendgrumbullimet e përcaktuara dhe do të rikthehen për të bërë shoqërimin e materialeve zgjedhore në drejtim të KZAZ-ve, në orën 19:00.
Po mbrëmjen e sotme ora 18:00, shërbimet e Policisë do të marrin në ruajtje të gjitha objektet e VNV-ve ku do të bëhet numërimi i votave dhe shërbimi do të vijojë deri në përfundim të të gjithë procesit.