Zgjedhjet, Policia e Shtetit kalon në gatishmëri

AKTUALITET


7530 punonjës policie janë trajnuar dhe do të angazhohen për mbarëvajtjen e zgjedhjeve vendore të 14 Majit.

Në një deklaratë për mediat, drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike Rebani Jaupi ka bërë të ditur planin e masave që ka marrë Policia e Shtetit për procesin zgjedhor.


Duke nisur nga ora 18:00 e ditës së sotme (12 Maj 2023), të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit kanë kaluar në gatishmëri të përforcuar deri në përfundim të procesit zgjedhor.

“Në vijim, u hartuan, u miratuan dhe u zbatuan urdhrat për planifikimin dhe organizimin e trajnimeve për punonjësit e Policisë, në strukturat e ngarkuara me përgjegjësi për këtë proces. Në këtë kuadër janë trajnuar 7530 punonjës policie, të cilët do të angazhohen me detyra gjatë procesit zgjedhor, sipas niveleve të menaxhimit policor, që nga niveli bazë i veprimit policor. Janë kryer përllogaritjet e numrit të punonjësve të Policisë dhe nevojave të tyre për pajisje, automjete dhe shërbime të tjera logjistike, që do të angazhohen për sigurimin e 5211 qendrave të votimit, 92 KZAZ-ve dhe 92 VNV-ve. Në zbatim të kërkesave të Kodit Zgjedhor, brenda afatit të përcaktuar, më datë 03.05.2023, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dërgoi në KQZ listën me 5511 punonjës policie që do të angazhohen për ruajtjen e objekteve zgjedhore në të gjithë Shqipërinë, të cilët do të ndërhyjnë në rast se kërkohet nga komisionet zgjedhore apo nga KQZ-ja; listën me 305 automjete civile, që do të përdoren në funksion të përmbushjes së detyrimeve të Policisë së Shtetit, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë procesit zgjedhor”, tha Jaupi.

DEKLARATA E PLOTË E REBANI JAUPIT:

Jam sot, këtu, për të bërë prezente masat e ndërmarra nga Policia e Shtetit, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë ditës së votimit, garantimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe të subjekteve që marrin pjesë në këtë proces, si dhe për ruajtjen e objekteve dhe të materialeve që do t’i shërbejnë këtij procesi. 

Policia e Shtetit, në zbatim të ligjit “Për Policinë e Shtetit” dhe të detyrimeve ligjore që janë përcaktuar në Kodin Zgjedhor, ka ndërmarrë një sërë masash që prej fillimit të procesit, masa të cilat janë ndjekur dhe po zbatohen në të gjitha fazat deri në përfundim të procesit zgjedhor. 

Policia e Shtetit është vlerësuar pozitivisht ndër vite, nga agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, për standardet e arritura në zbatimin me objektivitet të ligjit gjatë proceseve zgjedhore të zhvilluara në vendin tonë. Nisur nga këto arritje, sfida e Policisë së Shtetit mbetet ruajtja e këtyre standardeve edhe gjatë këtij procesi zgjedhor, si dhe rritja në një shkallë më të lartë e tyre, me qëllim që qytetarët të përmbushin të lirë dhe të sigurtë detyrimet që kanë në kuadër të këtij procesi zgjedhor.  

Policia e Shtetit e filloi punën përgatitore, për hartimin dhe planifikimin e masave dhe të detyrimeve në kuadër të këtij procesi, që në muajin shkurt 2023, punë e cila konsistoi paraprakisht në hartimin e detyrave në Programin e Punës, hartimin e planeve të masave, si dhe të akteve të tjera, përmes të cilave do të përmbushen plotësisht detyrat funksionale të punonjësve të Policisë së Shtetit, gjatë procesit zgjedhor.   

Për të plotësuar kuadrin normativ të këtij procesi, gjatë muajit shkurt 2023 dhe në vijim, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit nxorri një sërë urdhrash, për përcaktimin e pikave të kontaktit, me qëllim raportimin e të gjitha veprimtarive me karakter publik ku përfshiheshin punonjës të Policisë së Shtetit.

Për raportimin e veprimtarive me karakter publik, të strukturave të Policisë së Shtetit, është përcaktuar Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Për bashkëpunimin me KQZ-në, pikë kontakti është Drejtori i Drejtorisë së Rendit Publik.

Për bashkëpunimin me organizatat ndërkombëtare, pika kontakti janë Drejtori i Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike.  

Gjithashtu, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, që në muajin shkurt, u ngrit grupi i punës për monitorimin e angazhimit të punonjësve civilë, gjatë procesit zgjedhor.

Në vijim, u hartuan, u miratuan dhe u zbatuan urdhrat për planifikimin dhe organizimin e trajnimeve për punonjësit e Policisë, në strukturat e ngarkuara me përgjegjësi për këtë proces. Në këtë kuadër janë trajnuar 7530 punonjës policie, të cilët do të angazhohen me detyra gjatë procesit zgjedhor, sipas niveleve të menaxhimit policor, që nga niveli bazë i veprimit policor. 

Janë kryer përllogaritjet e numrit të punonjësve të Policisë dhe nevojave të tyre për pajisje, automjete dhe shërbime të tjera logjistike, që do të angazhohen për sigurimin e 5211 qendrave të votimit, 92 KZAZ-ve dhe 92 VNV-ve. 

Në zbatim të kërkesave të Kodit Zgjedhor, brenda afatit të përcaktuar, më datë 03.05.2023, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dërgoi në KQZ: 

• Listën me 5511 punonjës policie që do të angazhohen për ruajtjen e objekteve zgjedhore në të gjithë Shqipërinë, të cilët do të ndërhyjnë në rast se kërkohet nga komisionet zgjedhore apo nga KQZ-ja;  

• Listën me 305 automjete civile, që do të përdoren në funksion të përmbushjes së detyrimeve të Policisë së Shtetit, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë procesit zgjedhor.

Janë prodhuar  nga Policia e Shtetit, 6000 kopjeve të librit të xhepit, për detyrat funksionale të punonjësve të Policisë, gjatë procesit zgjedhor, kopje të cilat janë shpërndarë në të gjitha strukturat e Policisë. 

Janë përgatitur dhe miratuar urdhri i përbashkët i Ministrit të Brendshëm dhe Ministrit të Mbrojtjes, si dhe urdhri i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për marrjen në ruajtje të 57 objekteve të rëndësishme, të cilat do të sigurohen nga 192 punonjës policie nga forcat “Komando”.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka ngritur grupin e drejtimit në nivel qendror, i cili aktualisht është në funksionim për menaxhimin e masave të sigurisë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, me qëllim vlerësimin e çdo informacioni nga të gjitha burimet, si dhe për verifikimin, analizimin dhe ndjekjen e tij.

Në zbatim të detyrimeve të përcaktuara në vendimin nr. 12, të datës 30.12.2020, të KQZ-së, është përgatitur dhe miratuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, regjistri i posaçëm “Për çdo njoftim dhe referim të veprave penale në fushën zgjedhore”, i cili administrohet që prej fillimit të procesit zgjedhor nga çdo komisariat policie, drejtori vendore policie, si dhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Ky regjistër është i aksesueshëm nga KQZ-ja dhe nga subjektet elektorale.

Policia e Shtetit, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve zgjedhore, përsa i përket tentativës për shit-blerje të votës, bazuar në informacionet e siguruara nga shërbimet e Policisë në terren, si dhe në përmbushje të detyrimeve ligjore të përcaktuara në Kodin Zgjedhor, ka iniciuar hetime proaktive, të cilat po kryhen në drejtimin e prokurorive të rretheve gjyqësore dhe të Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Për shkak të konfidencialitetit të hetimeve për këto raste, nuk mund të japim informacione të tjera.  

Gjithashtu, strukturat e Policisë në Has, Kavajë, Patos, Kukës dhe Durrës,  në bashkëpunim me prokuroritë respektive, kanë trajtuar dhe aktualisht kanë në hetim, denoncime nga subjekte të ndryshme, për çështje që lidhen me procesin zgjedhor. Për të gjitha këto raste, strukturat e Policisë kanë dhënë njoftim për median dhe qytetarët. 

Gjithashtu, ka qenë permanent dhe intensiv, bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare, OSCE/ODIHR, të cilat monitorojnë procesin zgjedhor.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka mbështetur zhvillimin e procesit të trajnimeve për punonjësit e Policisë.

Masa janë ndërmarrë edhe për komunikimin, informimin dhe mbarëvajtjen e punës edhe për vëzhguesit afatgjatë të OSBE/ODIHR, të cilët kanë akses që të monitorojnë zbatimin e masave të ndërmarra në kuadër të procesit zgjedhor, në të gjitha drejtoritë vendore të Policisë. 

Deri tani nuk kemi ndonjë konstatim prej tyre, lidhur me zbatimin e detyrimeve ligjore nga Policia e Shtetit. Gjithashtu, deri tani nuk kemi asnjë rast të punonjësve të Policisë së Shtetit, të evidentuar në shkelje të kërkesave ligjore, punonjës të kompromentuar për pozicionin e tyre si punonjës të depolitizuar apo punonjës që kanë reflektuar qëndrime të njëanshme apo politike.

Në vijim, është vënë në funksionim të plotë aplikacioni dixhital me numrat e kontaktit të punonjësve të angazhuar në çdo qendër votimi, si dhe me numrat e përgjegjësve të tyre, me qëllim raportimin e zbatimit të masave të Policisë së Shtetit. Ky aplikacion është në mbikëqyrje të grupit të drejtimit në DPPSH.  

Grupi i drejtimit do të ndjekë online, zbatimin e masave të Policisë, duke bashkëpunuar me grupet e drejtimit në 12 drejtoritë vendore të Policisë. Qëllimi i krijimit të këtij aplikacioni dhe i krijimit të hartës dixhitale është që Policia e Shtetit të monitorojë plotësisht situatën për realizimin e detyrave funksionale gjatë ditës së shtunë dhe ditës së dielë. Nga ana tjetër, që të mund të sigurohet një komunikim i shpejtë dhe në kohë reale, për çdo rast kur punonjësit e Policisë të angazhuar gjatë këtyre ditëve, do të kenë nevojë për orientime që do të garantojnë zgjidhje efektive. 

Policia e Shtetit, subjektet politike dhe kandidatët e tyre janë njohur me vendimin e KQZ-së, nr. 424, të datës 03.05.2023, “Për heqjen e materialeve propagandistike që nuk përmbajnë shënimin “Prodhuar nën përgjegjësinë ligjore të…”(vijon emri i subjektit zgjedhor)”, vendim i cili ngarkon Policinë e Shtetit dhe Policinë Bashkiake për ta zbatuar. 

Prej ditës së martë ka nisur shpërndarja e materialeve zgjedhore nga KQZ-ja drejt KZAZ-ve, materiale të cilat janë shoqëruar nga patrulla të Policisë Rrugore dhe nga shërbime të forcave të ndërhyrjes së shpejtë.

Tashmë jemi në fazën më të rëndësishme të periudhës zgjedhore, gjatë së cilës detyrat e Policisë janë të shtuara dhe për kryerjen e tyre kërkohen edhe më shumë angazhim dhe burime njerëzore. Në këtë kuadër, duke filluar prej orës 18:00 të ditës së sotme, deri në përfundim të procesit zgjedhor, të gjitha strukturat qendrore dhe vendore të Policisë së Shtetit, kalojnë në gatishmërinë “Shërbim i Përforcuar”. 

Kjo masë merret me qëllim përmbushjen me sukses të kësaj detyre të rëndësishme me të cilën na ngarkon ligji dhe detyrimi ndaj qyetarëve, për ofrimin e një mjedisi të sigurtë si parakusht për ushtrimin e lirë të të drejtës për të zgjedhur përmes votës, përfaqësuesit e tyre në njësitë e qeverisjes vendore.

Lidhur me përmbushjen konform ligjit, të detyrave në këtë fazë të rëndësishme të procesit zgjedhor, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, iu ka dërguar vazhdimisht udhëzime, drejtuesve qendrorë dhe vendorë të Policisë së Shtetit, nëpërmjet të cilave ka kërkuar angazhim maksimal dhe profesional nga të gjitha strukturat policore në bazë. 

Në zbatim të ligjit “Për Policinë e Shtetit”, Kodit Zgjedhor dhe të akteve të tjera normative, kërkohet kryerja e veprimeve të shpejta, profesionale, rritja e bashkëpunimit me institucionet e tjera përgjegjëse sipas fushës, ruajtja e gjakftohtësisë në çdo situatë dhe rrethanë, si dhe komunikim me etikë policore.

Masat shtesë të ndërmarra në kuadër të këtij procesi zgjedhor, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë ditës së votimit, garantimin dhe promovimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe subjekteve që marrin pjesë në këtë proces, si dhe për ruajtjen e objekteve dhe materialeve që do t’i shërbejnë këtij procesi, do të zbatohen duke filluar nga sot deri në përfundim të procesit zgjedhor. 

Theksojmë se punonjësit e Policisë së Shtetit, deri tani, nuk janë përfshirë në veprime që bien ndesh me ligjin “Për Policinë e Shtetit” dhe me Kodin Zgjedhor, përkundrazi, ata janë angazhuar maksimalisht për përmbushjen e detyrave të përcaktuara në planet e masave, urdhrat dhe udhëzimet ligjore, të miratuara me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve zgjedhore, si dhe për garantimin e rendit dhe sigurisë, gjatë tubimeve elektorale dhe gjatë gjithë procesit zgjedhor në tërësi. 

Policia e Shtetit është tejet e vendosur dhe e angazhuar për të mbajtur në kontroll të plotë të gjithë territorin e vendit, me qëllimin e vetëm, sundimin e ligjit. Në këtë kuadër, Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët dhe subjektet e përfshira në këtë proces, që të respektojnë plotësisht të gjitha detyrimet ligjore me të cilat i ngarkon Kodi Zgjedhor dhe ligjet e tjera. Gjithashtu, Policia e Shtetit garanton qytetarët se ka ndërmarrë të gjitha masat, që e drejta e tyre kushtetuese për zgjedhjen e përfaqësuesve të pushtetit lokal, të ushtrohet e lirë, e qetë, e pacenuar dhe e paintimiduar prej askujt.




Skip to toolbar