Zgjedhjet presidenciale, miratohen dy kandidaturat që do sfidojnë Vladimir Putin

BOTA


RUSI– Komisioni Kombëtar i Zgjedhjeve i Rusisë regjistroi të premten dy kandidatët e parë që do të konkurrojnë me presidentin Vladimir Putin në zgjedhjet e marsit. Komisioni miratoi kandidaturën e Leonid Slutsky të Partisë Liberale Demokratike nacionaliste dhe Vladislav Davankov të Partisë së Popullit të Ri për zgjedhjet e 15-17 marsit, shkruan AP.

Thuhet se asnjëra nga kandidaturat nuk përbën sfidë të rëndësishme për Putinin, i cili ka dominuar politikën ruse që kur u bë president në vitin 2000. Partitë e të dy kandidatëve janë kryesisht mbështetëse në parlament për partinë “Rusia e Bashkuar” e Putinit.


Slutsky, si kreu i komitetit të punëve të jashtme të dhomës së ulët të parlamentit, ka qenë mbështetës i politikës së jashtme të Kremlinit që është gjithnjë e më shumë opozitare ndaj Perëndimit. Në zgjedhjet e fundit presidenciale më 2018, kandidati i partisë mori më pak se 6% të votave.

Davankov është nënkryetar i dhomës së ulët të parlamentit, Duma. Partia e tij u krijua në vitin 2020 dhe mban 15 vende në Dumën prej 450-anëtarësh.

Partia Komuniste ka paraqitur si kandidat Nikolai Kharitonov, por komisioni zgjedhor nuk e ka regjistruar zyrtarisht. Kharitonov ishte kandidati i partisë në vitin 2004.

Komisioni Zgjedhor refuzoi kandidaturën e Yekaterina Duntsovan nga një grup mbështetësish, duke përmendur gabime në dokumente, përfshirë drejtshkrimin. Gjykata e Lartë më pas hodhi poshtë ankesën e Duntsovas kundër vendimit të komisionit.

Putin kandidon si i pavarur. Partia në pushtet “Rusia e Bashkuar” dhe një koalicion politik i quajtur Fronti Popullor, kanë mbledhur nënshkrime në mbështetje të kandidaturës së tij. Sipas ligjit rus, kandidatët e pavarur duhet të emërohen nga të paktën 500 mbështetës dhe gjithashtu duhet të mbledhin të paktën 300 mijë nënshkrime nga 40 rajone ose më shumë.




Skip to toolbar