“Zgjedhorja”, dorëzohet në Kuvend drafti i Këshillit Politik, ja çfarë parashikohet për votën e emigrantëve

AKTUALITET


Mesnatën e së martës, Këshilli Politik ka arritur që të përmbyllë negociatat, që sot t’i hapet rruga depozitimit të draftit mbi Reformën Zgjedhore në Kuvend.

Drafti është dorëzuar sot nga Damian Gjiknuri, përfaqësues i PS-së në Këshillin Politik dhe bashkëkryetar i Komisionit Parlamentar për reformën zgjedhore. Amendamenet janë ndryshuar në lidhje me vendimmarrjen e KQZ-së dhe listën e deputetëve.


Po ashtu është përcaktuar mënyra se si do të mundësohet vota e emigrantëve. Lista e zgjedhësve që votojnë nga jashtë vendit, përfshin vetëm zgjedhësit me vendbanim jashtë vendit, të cilët deklarojnë vullnetin për të ushtruar të drejtën e votimit, sipas rregullave të dala në zbatim të nenit 24 të këtij ligji.

“Pavarësisht nga procedura e votimit, manuale ose elektronike, votat e votuesve nga jashtë vendit administrohen nga KQZ-ja, duke garantuar integritetin e votimit dhe fshehtësinë e votës, nga çdo ndërhyrje mbi fletët e votimit ose mbi informacionin elektronik të votimit që administrohet prej saj. Votimi nga jashtë vendit quhet i çelur nga dita që KQZ-ja nis procedurat për dërgimin e dokumentacionit të votimit ose, sipas rastit, dokumentacionit udhëzues në adresë të zgjedhësve nga jashtë vendit. Votimi nga jashtë vendit mbyllet në ditën e votimit, në orën e caktuar nga ky ligj për mbylljen e votimit në qendrat e votimit. Me mbylljen e votimit nga jashtë vendit, KQZ-ja nuk mund të pranojë dhe përfshijë më në numërim asnjë fletë votimi të mbërritur më pas. Nëse votimi nga jashtë vendit bëhet elektronik, sistemi elektronik i votimit mbyllet në orën e caktuar nga ky ligj për mbylljen e votimit në qendrat e votimit. Rregullat për administrimin e materialit zgjedhor ose të informacionit të votimit, të regjistruar dhe ruajtur nga sistemet e teknologjisë informatike, për votimin nga jashtë vendit, si dhe për testimin parazgjedhor dhe verifikimin paszgjedhor të sistemeve, janë pjesë e rregullave të përgjithshme që KQZ-ja miraton për administrimin e materialit zgjedhor apo për përdorimin e sistemeve të teknologjisë informatike në zgjedhje. Garancitë ligjore për vëzhgimin, monitorimin dhe aksesin në KQZ gjatë administrimit të votave nga jashtë vendit, si dhe për testimin, verifikimin dhe sigurinë e materiali zgjedhor apo të sistemeve të teknologjisë informatike që përdoren për këtë votim nuk mund të jenë më të ulta se sa ato për votimin brenda vendit”,- thuhet në amendamentin final.

Amendamente-Finale-per-Kuvend




Skip to toolbar