Zgjidhja e krizës mund të vijë nga Shkodra…ose Meta mund ta thellojë

AKTUALITET


Zgjidhja e krizës politike mund të vijë nga Shkodra, vetëm nëse palët tregojnë se kanë vullnet politik për t’i dhënë zgjidhje situatës së krijuar së fundit. Partia Demokratike zbuloi dokumente sipas të cilave kryebashkiaku i ri i Shkodrës i cili ka marrë mandatin më 29 korrik por ende nuk ka kryer betimin, Valdrin Pejtri, ka qenë i dënuar në Itali. Nëse këto akuza konfirmohen si të vërteta nga prokuroria atëherë në Shkodër do të ketë zgjedhje të reja, pasi Valdrin Pjetri nuk mund të mbajë asnjë post politik e publik, në bazë të ligjit për dekriminalizimin.

Kështu që të ketë zgjedhje të reja topi kalon në fushën e Metës, i cili ka rastin të tregojë këtë herë se është për stabilitet politik dhe për zgjidhje të krizës, apo për kaos dhe amulli. Në bazë të kodit Zgjedhor në rastin konkret kur kryebashkiaku i ri ka marrë mandatin por nuk është betuar akoma, nuk kemi të bëjmë me pavlefshmëri në zgjedhje, por vetëm me zgjedhje të reja të pjesshme.


Bazuar në nenin 10 të Kodit Zgjedhor i takon presidentit të Republikës që të caktojë datën e re të zgjedhjeve të pjesshme. Sipas Kodit Zgjedhor, në çdo rast, Presidenti i Republikës nxjerr dekretin jo më vonë se 48 orë nga njoftimi për ndërprerjen e mandatit. Por a do ta zbatojë Meta Kodin Zgjedhor për të dekretuar zhvillimin e zgjedhjeve të reja në Shkodër, nëse vërtetohen akuzat ndaj Pjetrit?

Kjo është një pyetje, përgjigja e së cilës i jep zgjidhje krizës, për faktin se ekzistojnë dy mundësi. E para presidenti tregohet bashkëpunues dhe dekreton datën e zgjedhjeve të reja në Shkodër dhe kjo është në favor të zgjidhjes së krizës dhe e dyta presidenti nuk i njeh zgjedhjet e 30 qershorit (siç ka treguar deri më sot) dhe si rrjedhojë nuk njeh as Valdrin Pjetrin. Kështu që ai refuzon të dekretojë datë të re zgjedhjesh duke këmbëngulur në zgjedhje më 13 tetor, por jo vetëm në Shkodër, por në mbarë vendin. Në këto kushte kriza thellohet më tej pasi bashkia e Shkodrës mbetet pa kryetar të ri dhe Voltana Ademi vazhdon të qëndrojë në detyrë përtej çdo limiti ligjor.

Por duket se maxhoranca ka dhënë një sinjal bashkëpunimi dhe i ka ofruar një shanc Partisë Demorkatike që të dalë nga ngujimi. Në rast se vërtetohen akuzat ndaj Pjetrit dhe në rast se në Shkodër ka sërish zgjedhje, PD ka shancin të marrë pjesë në to, jo vetëm për kryetarin e bashkisë por edhe për këshilltarët bashkiakë, për shkak se PS ka ‘ngrirë’ procedurat për konstituimin e këshilli bashkiak në Shkodër. PS është duke pritur verifikimin e dokumenteve të bëra publike nga PD ditën e martë lidhur me kandidatin socialist Valdrin Pjetri. Nëse Pjetri rezulton se është në shkelje të ligjit të dekriminalizimit, edhe këshilltarët e zgjedhur nuk do ta bëjnë betimin. Kjo lëvizje tregon për një vullnet të Partisë Socialiste për t’i hapur rrugën Partisë Demokratike për të hyrë në zgjedhje. Pra siç duket Shkodra i dha një mundësi të artë politikës që të dalë nga kriza dhe të tregojë vullnet për të ecur përpara./Realstory.al




Skip to toolbar