Zjarri në pallat / Ekspertiza: T’i nënshtrohet restaurimit, ndërtesa e rrezikshme për njerëzit

AKTUALITET


Instituti i Ndërtimit ka dalë në përfundimin se nga ekspertiza e bërë në pallatin që u dogj në zonën e ish-Parkut në Tiranë, zjarri ka shkaktuar dëmtime edhe në kolona, jo vetëm në fasadë.

Gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj ka mësuar se sipas ekspertëve, pallati është i pabanueshëm dhe i rrezikshëm për jetën e banorëve.

“Struktura e objektit në gjendjen ekzistuese pas ekspozimit ndaj zjarrit, nuk i plotëson kushtet e sigurisë dhe qëndrueshmërisë për ngarkesat maksimale statike apo dinamike të parashikuara. Dëmtimet janë lokale, por mund të influencojnë të gjithë ndërtesën në sajë të fenomenit “domino””, thuhet në ekspertizë.

Struktura duhet t’i nënshtrohet restaurimit dhe përforcimit të elementëve strukturorë, në të kundërt ndërtesa konsiderohet me rrezikshmëri për jetën e njerëzve dhe e papërdorshme, sipas ekpertizës.

“Struktura duhet t’i nënshtrohet restaurimit dhe përforcimit të elementëve strukturorë, trare, soleta apo edhe kolona, vetëm në zonën e dëmtuar duke u bazuar në një projekt përforcimi strukturor mjaft të detajuar për objektin përkatës, mbështetur në dëmtimet e zjarrit të datës 14 Shtator 2023. Deri në momentin e restaurimit, ndërtesa konsiderohet me rrezikshmëri për jetën e njerëzve dhe e papërdorshme”, thuhet në ekspertizë.



Skip to toolbar