Zyrtari amerikan: Zgjedhjet nuk shtyhen. Opozita të respektojë Kushtetutën!

AKTUALITET


Damon Wilson kryesoi të martën delegacionin e Kongresit Amerikan në Shqipëri të cilët zhvilluan takime me krerët më të lartë të shtetit. Gjatë qëndrimit të tij në Tiranë Wilson, që mban postin e drejtorit ekzekutiv të organizatës amerikane Atlantic Council, tha në një intervistë televizive se zgjedhjet në Shqipëri duhet të mbahen në kohën e caktuar, pra më 30 qershor.

Ai gjithashtu shprehu shqetësimin për veprimet e ndërmarra nga opozita, si djegia e mandateve, braktisja e parlamentit dhe zhvillimi i protestave të dhunshme, duke i cilësuar këto praktika që dëmtojnë demokracinë në vend.


“Kam pasur mundësinë gjatë vizitës time në Tiranë, për të takuar Presidentin e Republikës, kryeministrin e vendit dhe anëtarë të parlamentit dhe ata në opozitë. Unë jam një mbështetës i fortë i aleancës Amerikane me Shqipërinë dhe mbështes fort evolucionin e saj demokratik. Kemi parë qeveri të ndryshme, tranzicion dhe pushtet dhe këto janë pjesë e demokracisë.

Unë jam pak i shqetësuar në këto momente sepse mendoj se është me rëndësi që institucionet demokratike që shqiptarët kanë ndërtuar t’i përdorin ato, që të mund të funksionojnë. Që njerëzit të kenë mundësinë për të protestuar dhe për të shprehur pakënaqësinë përmes kutisë së votimit, për t’i bërë të qarta qëllimet e tyre përmes demonstratave paqësore dhe për të marrë rolin e tyre në parlament për të shprehur kundërshtimet e tyre dhe shqetësimi im tani është se ne po shohim pak përpjekje që po shtyjnë në thelbin kushtetues të demokracisë këtu dhe unë besoj fort në atë që partitë politike t’i pranojnë përgjegjësitë e tyre, duke pranuar mandatet e tyre duke përfaqësuar idetë e tyre përmes mjeteve kushtetuese dhe mendoj se është shumë e rëndësishme sepse Shqipëria përfaqëson fytyrën e saj në botë duke e bërë të qartë se Shqipëria jo vetëm që është gati për Bashkimin Europian, por se Shqipëria është një vend i mirë për investime të huaja dhe për këtë njerëzit duan të shohin një nivel të caktuar stabiliteti politik, institucione demokratike që funksionojnë dhe një sistem drejtësie që përgjigjet ndaj këtyre detyrave dhe kërkesave.

Prandaj mendoj se tani është një sfidë fatkeqe ku kemi disa parti që janë larguar nga mandatet e tyre në parlament, që herë pas here janë përfshirë në akte dhune në proteste dhe mendoj se në një Shqipëri moderne që është në rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe aleatë e Nato-s, do të shpresoja që këto praktika të jene pjesë e të shkuarës dhe të shikojmë ushtrimin e demokracisë në këtë vend. Ne duhet ta institucionalizojmë mënyrën sesi nuk biem dakord me njeri tjetrin. Nuk mundet të ndodhë që fituesi i merr të gjitha dhe duhet që zgjedhjet të ndodhin sipas planifikimit”, tha Wilson në një intervistë për News 24.

I pyetur për zgjedhjet ai tha se duhet të respektohet kushtetuta dhe zgjedhjet të zhvillohen në datën e caktuar.

“Ekziston një proces kushtetues. Në SHBA kemi një mandat katër vjeçar presidencial, dy vite për dhomën e përfaqësuesve, gjashtë vjet për senatin, dhe ndonjëherë kjo kohë shërben mirë për një parti dhe ndonjëherë është koha më e keqe për një parti për të shkuar në zgjedhje. Këtu në Shqipëri keni rregullat tuaja dhe proceset kushtetuese dhe kodin zgjedhor dhe mendoj se është me rëndësi që të ndiqet ai kod. Keni zgjedhje lokale që mbahen në fund të qershorit që duhet të mbahen sipas planifikimit, keni zgjedhjet parlamentare që mbahen pas disa vitesh dhe duhet t’i përmbaheni. Mendoj se është një ushtrim për muskujt e demokracisë për të treguar se strukturat, institucionet dhe sistemi që keni ndërtuar po i shërben popullit”, tha Wilson, i cili vlerësoi reformën në Drejtësi dhe tha se Shqipëria meriton hapjen e negociatave me BE-në.




Skip to toolbar