Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka thirrur ditën e sotme në një takim kryetarët e 71 degëve të partisë. Bëhet e ditur se mbledhja do të mbahet në orën 16.00 ndërsa Kolegji i Kryetarëve pritet të ketë në qendër të diskutimeve çështje që lidhen me organizimin e Kuvendit Kombëtar më 18 dhjetor.
Kujtojmë se 18 dhjetori është data që u vendos për të mbledhur Kuvendin Kombëtar me 2/3 e votave të Kryesisë së PD. Thirrja e Kuvendit u propozua nga kryetari Basha, pas refuzimit të mbështetësve të Sali Berishës për të verifikuar, sipas statutit, firmat e mbledhura prej tyre.
Kryedemokrati është treguar i vendosur në qëndrimin e tij për të mos i njohur ato që i cilësoi si “struktura paralele”. Motoja e Bashës për 18 dhjetorin është “1 Parti, 1 Kuvend.”
Nga ana tjetër, lideri historik i demokratëve Sali Berisha dhe mbështetësit e tij kanë deklaruar se pas mbledhjes së 4200 firmave, Kuvendin Kombëtar, anëtarët do ta thërresin më 11 dhjetor.