1 ton drogë në Velierë, Policia sqaron mediat greke: Në Sarandë ishte “Dream”, jo “My Dream”

AKTUALITET


Të premten në Greqi u kap një Velierë me rreth 1 ton drogë, e cila sipas mediave në vendin fqinj, ishte nisur nga porti i Sarandës. Në anijen e vogël turistike, bllokuar në gjirin “Porto Kagio” në lindje të Manit në Githio, u gjetën 637 pako me drogë e ndarë në 50 çanta të zeza. Mësohet se anija kishte flamurin e Delaëare. Por, pas publikimit të lajmit nga mediat greke për këtë sasi droge të kapur në shtetin fqinj, dhe dyshimet se anija ishte nisur nga Shqipëria, ka ardhur reagimi i Policisë së Shtetit. Në një deklaratë për mediat, policia shqiptare ka sqaruar se anija e kapur në Greqi me drogë, nuk ka qenë asnjëherë në Shqipëri dhe në portin e Sarandës.

“Në lidhje me lajmin e publikuar në disa media greke se mjeti lundrues që u kap në Peloponez me një sasi hashashi, dyshohet se kishte ardhur nga Shqipëria, informojmë se: Policia e Shtetit, në kuadër bashkëpunimit me homologët për të parandaluar dhe luftuar trafikun e lëndëve narkotike, duke shkëmbyer informacion në kohë reale apo duke zhvilluar operacione të përbashkëta, menjëherë pas kapjes nga autoritet greke të mjetit lundrues është vënë në djeni nga homologët, për të dhënat e mjetit dhe personat në bord me qëllim verifikimin e tyre. Të ndaluarit janë shtetas ukrainas. Nga verifikimi i bërë në regjistrat e PKK Sarandë, Himarë, Vlorë, Porti Jahteve Orikum dhe QNOD, për disa muaj, mjeti lundrues Veleria “MY DREAM” i kapur me drogë dhe dy personat ukrainas në bord, nuk kanë hyrje-dalje në Shqipëri”, thuhet në komunikatën e policisë.

Ndërkohë, Policia e Shtetit, duke sqaruar se gjatë kësaj periudhe nuk është konstatuar asnjë mjet lundrues i dyshimtë që ka lëvizuar në ujërat shqiptare, ka sqaruar se në 15 gusht në Sarandë ka hyr një mjet Yaht me emrin “Dream”, me 3 shtetas turq në bord. Por, sipas policisë ky Yaht me atë të kapur në Greqi, dhe shtetasit e ndaluar nga policia greke, nuk kanë asnjë lidhje me atë që ka qenë në Sarandë.

“Sqarojmë faktin se në 15 gusht në Sarandë ka hyrë një mjet lundrues Yaht me emrin “Dream” me 3 shtetas turq në bord, të cilët kanë kryer proceduara të rregullta hyrje-dalje dhe mjeti është kontrolluar konform rregullave nga Policia Kufitare. Ky mjet nuk ka asnjë lidhje me mjetin lundrues Veleria të kapur me drogë në Greqi. Policia e Shtetit edhe njëherë shpreh vendosmërinë dhe angazhimin për luftë kundër krimit të organizuar dhe krimit në tërësi, si dhe  mbetet e fokusuar çdo ditë e më tepër në forcimin e bashkëpunimit me partnerët për të parandaluar dhe luftuar trafikun e drogës, krimin e organizuar dhe terrorizmin”, përfundon deklarata e Policisë së Shtetit.



Skip to toolbar