Gjatë debatit në studion e emisionit “Real Story” në News 24, teksa diskutoheshin ndryshimet që pritet të miratohen në Kodin Penal për pandemitë, u fol edhe për disa parregullsi.
Sipas Kreut të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja ky draft do të rishikohet sërish dhe do të harmonizohet deri ditën që do shkojë për votim në Kuvend.
Ulsi Manja: Po parashikojmë dispozita të reja në Kodin Penal që kanë të bëjnë me sëmundje infektive. Janë masa administrative dhe jo penale.
Sokol Balla: Po si mund të dënohesh 10 vjet burg nëse nuk je bartës i COVID 19?
Ulsi Manja: Nuk flitet për tu dënuar me 10 vjet burg personi që nuk është bartës me COVID
Sokol Balla: Po kështu thua pra në draft “bartës ose jobartës”, ka nevojë për një sqarim kjo dispozita…
Ulsi Manja: Do kemi nesër në Komisionin e ligjeve një draft të harmonizuar
Skënder Minxhozi: Pa e provokuar zotin Manja, dallimi mes personave të ndryshëm që bëjnë shkeljen ligjore, me sa e zbërthej gjuhën e zotit Manja do të kenë reflektime edhe në draft. Pra, nuk mund të dënosh deri në 10 vjet burg një njeri që del në orar karantine. Kur masat e dënimit tejkalojnë logjikën elementare i prishin punë vetë paketës. 15 vjet burg është një shifër që kërcet, në Itali kush shkel karantinën dënohet me 5 vjet burg, por mos harrojmë që atje po ndodh një dramë. Në këtë pikë duhet të kemi reflektim ligjor, do ecim me komunikata shtypi vendime që merren me FB apo me ligje. Jam dakord të ecim me ligje, jam dakord edhe me shoqërinë civile që të diskutohen e sqarohen, që të bëhet ligji sa më demokratik…Kur ligjet shkojnë në skaj askush nuk i zbaton, nëse kalon sensi i masës kjo gjë kthehet në jo realiste.
Agron Gjekmarkaj: Në Shqipëri ka pasur shumë përgjegjësi në zbatimin e karantinës. Madje kjo më befason pse ka nevojë për këtë ligj kur karantina po zbatohet. Ajo që më bën përshtypje është gjuha tejet represive që përdor qeveria, pikërisht kjo gjuhë na con tek të tilla vendime arbitrare.