14 vende anëtare të Bashkimit Evropian si dhe 2 vende të tjera joanëtare u solidarizuan menjëherë për t’i ardhur në ndihmë familjeve shqiptare të prekura nga lëkundjet e tërmetit të datës 21 shtator 2019.
Ndihmat e ardhura iu dorëzuan Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit në një ceremoni ku morën pjesë ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian Luigi Sorecca, ambasadorë të vendeve kontribuuese dhe drejtues të Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile dhe Rezervave të Shtetit.
Ministrja Xhaçka falënderoi vendet kontribuuese për ndihmën në këtë moment të vështirë dhe siguroi qytetarët e prekur për rindërtimin e banesave të tyre.
“Të gjitha godinat e shembura do të rindërtohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për emergjencat civile, por edhe nga fondi i solidaritetit që tashmë është ngritur. Ndërsa rindërtimi është sfida afatshkurtër, për t’ua lehtësuar sa më shumë situatën këtyre familjeve, sfida më e madhe që kemi përpara si shtet, si qeveri, është marrja e të gjithë masave për të qenë të përgatitur për situatat e ngjarjet që mund të vijnë si pasojë e fatkeqësive natyrore apo emergjencave civile. Anëtarësimi në Qendrën Evropiane për Koordinimin e Përgjigjes ndaj Emergjencave do të jetë vula e suksesit të kësaj pune që ne e kemi marrë shumë seriozisht, jo sepse është thjesht reforma e radhës, por sepse ka një ndikim të drejtpërdrejtë tek siguria, tek jeta dhe shëndeti i qytetarëve shqiptarë.”- u shpreh ministrja Xhaçka.
Ambasadori i Italisë në vendin tonë Alberto Cutillo dhe ai i Sllovenisë, Peter Japelj vlerësuan reagimin e autoriteteve shqiptare dhe veçanërisht Ministrinë e Mbrojtjes pas lëkundjeve të tërmetit.
Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri Luigi Sorecca nënvizoi gatishmërinë e vendeve, të cilët sipas tij, nisën lëvizjen vetëm 2 ditë pas aktivizimit të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE.
“Ne jemi krenarë për efikasitetin e mekanizmit tonë të BE për Mbrojtjen Civile. U deshën vetëm disa ditë pas aktivizimit të saj për të ngritur një ekip prej 8 ekspertësh dhe për ta dërguar atë në Shqipëri. Solidariteti është në zemër të Bashkimit Evropian. Qendra e Koordinimit për Reagimin e Emergjencave i përgjigjet kërkesës së qytetarëve tanë për një solidaritet të tillë përmes veprimeve konkrete, me efikasitet maksimal dhe burokraci minimale. Dhe jo vetëm brenda BE-së, pasi solidariteti nuk njeh kufi”, nënvizoi mes të tjerash ambasadori Soreca.
Ndihmat e ardhura nga vendet anëtare të BE si Austria, Bullgaria, Finlanda, Franca, Greqia, Gjermania, Hollanda, Hungaria, Italia, Kroacia, Letonia, Mbretëria e Bashkuar, Sllovakia, Sllovenia si dhe vendet joanëtare Mali i Zi dhe Norvegjia, përbëhen kryesisht nga pajisje e mjete për strehim të shpejtë dhe të përkohshëm, si dhe ekspertizë përmes specialistëve europianë të Emergjencave Civile.