Mbrëmje frike ka rezultuar e diela për skuadrën e Lyonit. Transferta e Marsejës u kthye në një ngjarje aspak të hijshme për botën e futbollit, ku protagonistë ishin sërish tifozët e klubit vendas. Tifozët e Marsejes sulmojnë me gurë autobusin e ekipit të Lion para ndeshjes, duke shkaktuar të lënduar. Plagët më të rënda i mori trajneri i skuadrës, Fabio Grosso, i cili shfaqet i gjakosur dhe më pas i fashuar në pjesën e majtë të fytyrës. Ish-kampioni i Botës u plagos nga rënia e xhamave, teksa janë dashur mbi 12 qepje për të rikuperuar plagën.
Incident që rikthen episodet e pak viteve më parë, pasi edhe në sezonin 2021-2022, tifozët e Marsejës kanë shkaktuar trazira si në stadium ashtu edhe jashtë saj. Diçka e ngjashme ka ndodhur dhe në përballjen me Nice dhe Lyonin, të dyja në transfertë e duket se ky episod ka qenë edhe shkak i përsëritjes dhe këtij reagimi nga ana e tifozëve të Marsejës.
Pavarësisht peripecive dhe dëmtimeve të rënda, Lioni zbriti në fushën e ‘Velodrome’ për të përshëndetur ata pak tifozë që kishin udhëtuar drejt Marsejës, ku bashkë me grupin ishte edhe trajneri Grosso, i cili shfaqet i fashuar. Moment që gjithsesi, sipas mediave franceze nuk mund t’i shërbejë Lionit për të marrë 3 pikët në tavolinë, pasi këto incidente nuk do të rezultojnë në asnjë saksion sportiv për Marsejën. Përplasja e përgjakshme la 17 të plagosur, ndërsa policia arrestoi shtatë persona të dyshuar si të përfshirë në ngjarje.