18 vite më parë, në 11 shtator të 2001, dy avionë u përplasën me Kullat Binjake në New York, simbol i fuqisë financiare të SHBA-së, duke tronditur Amerikën dhe mbarë botën dhe duke shënuar një kthesë në histori dhe nisjen e një etape të re në politikën ndërkombëtare.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e gjithë bota përkujtojnë sot më 11 shtator sulmin terrorist të vitit 2001 që shënoi mijëra viktima.
Çfarë ndodhi konkretisht në 11 shtator 2001?
Mëngjesin e kësaj dite, rreth orës 9.00, ndodhën 4 sulme terroriste të organizuara nga një grup prej 19 vetësh, islamikë radikalë, 15 prej të cilëve ishin nga Arabia Saudite, dy nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një nga Egjipti dhe një nga Libani, të cilët ishin pjesë e grupit terrorist Al-Kaeda. Ata rrëmbyen 4 avionë pasagjerësh.
Dy avionë, ‘American Airlines Flight 11’ dhe ‘United Airlines Flight 75’, goditën kullat e Veriut dhe Jugut të kompleksit të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork.
Një tjetër goditi Pentagonin në Uashington dhe i katërti u rrëzua në një fushë në Pittsburgh të Pensilvanisë pas një sherri midis rrëmbyesve dhe udhëtarëve në avion.
Nga ky sulm kanë humbur jetën rreth 3 mijë persona. Në mesin e viktimave në kullat binjake ishin 2.752 persona prej tyre 343 zjarrfikës dhe 60 policë. Pjesa më e madhe e viktimave ishin civilë të 70 kombësive të ndryshme të botës. Ndaj dhe ky është një sulm terrorist që tronditi mbarë opinionin publik në të gjithë botën.
Teoritë konspirative
Ekzistojnë me dhjetra teori konspirative për ngjarjen në fjalë ku më së shumti ngrihen pikëpyetje se përse nuk u morën masa nga qeveria për ta parandaluar sulmin.
Konspirativët kanë pyetur gjithmonë se pse forcat ajrore amerikane nuk kanë ndaluar asnjë prej katër avionëve të rrëmbyer. Ata pohojnë se zëvendës presidenti i atëhershëm amerikan, Dik Çeni, urdhëroi ushtrinë të mos reagojë dhe të mos i qëllojë avionët. Megjithatë, raportet zyrtare pohojnë se këto ishin rrëmbime shumë të pazakonta të disa avionëve nëpërmjet dhunës në bord. Radiot e të katër avionëve ishin të fikura, që do të thotë se aeroplanët nuk mund të identifikoheshin.
Teoricienët kanë pyetur në mënyrë të përsëritur se si një pilot amator ishte në gjendje të fluturonte një aeroplan komercial në një manovër të komplikuar dhe ta rrëzonte atë në selinë e ushtrisë më të fuqishme të botës, 78 minuta pas raportit të pare për një rrëmbim të mundshëm pa lënë asnjë gjurmë. Bazuar në këtë pyetje, ata pretendojnë se në vend të një ‘Boeing 757’, Pentagoni në fakt u godit nga një raketë e vogël ose një avion pa pilot, apo edhe një avion shumë më i vogël. Kur u konfirmua se fluturimi ‘AA77’ goditi Pentagonin, teoricienët e zhvendosën vëmendjen e tyre në mënyrën se si aeroplani arriti të kryente manovrën e vështirë për të goditur selinë, me pretendimet se sulmi ishtë bërë nga vetë Pentagoni, dhe jo nga disa terroristë të Al-Kaedës.
Teoricienët konspirativë ngrejnë vazhdimisht pyetjen se pse vendi i rrëzimit në Shanksville të Pensilvanisë ishte aq i vogël dhe pse mbeturinat e aeroplanëve nuk ishin aq të dukshme sa vendet e tjera. Ata shprehen se avioni u rrëzua nga raketat, duke shkaktuar shpërbërjen e tij në ajër, gjë që ka bërë që mbetjet të shpërndahen në një zonë të të madhe. Megjithatë, kjo është refuzuar nga fotografitë zyrtare që tregojnë rrënojat e plota dhe regjistrimet e zërit të pilotit konfirmuan se kishte pasur një revoltë të udhëtarëve kur rrëmbyesit kishin tentuar të merrnin avionin.
Ndër pretendimet më absurde të bëra nga konspirativët është se aeroplanët nuk ishin realë. Ata sugjerojnë se “aeroplanët” që goditën Kullat Binjake dhe Pentagonin ishin raketa të rrethuara nga hologramë që u bënë të shfaqen si avionë. Megjithatë, edhe pse kjo është një teori popullore, nuk merr dot parasysh zhdukjen e avionëve, pasagjerëve dhe rrëmbyesve.
Ndërsa së fundi një agjenti i CIA-s ka zbuluar se Vladimir Putin, e kishte paralajmëruar George W. Bush dy ditë para sulmeve të 11 shtatorit në vitin 2001, duke i treguar për një komplot të afërt terrorist nga Afganistani. Agjenti Beebee pretendon në libër, se Putini e kishte telefonuar Bush dy ditë para sulmeve në “Kullat Binjake”, për të paralajmëruar se inteligjenca ruse ka zbuluar shenja të një fushate terroriste fillestare në Afganistan. Mediat amerikane citojnë “Russia Today” teksa raportojnë se në një pjesë në librin e Babee shkruhet: “Putin i ka telefonuar Presidentit Bush 2 ditë para sulmin dhe ka njoftuar se shërbimet inteligjente ruse kanë kapur sinjale të një fushate terroriste që “ diçka e madhe do të ndodhë”, dhe do të vijë nga Afganistani”. Në media është raportuar se edhe shërbime të tjera sekrete, si ato britanike, kishin paralajmëruar SHBA-të për sulmet terroriste, duke ngritur dyshime për mos reagim në kohë të qeverisë amerikane.
Megjithatë të gjitha këto mbeten teori konspirative. E vërteta është se sulmet terroristë në 11 shtatorit në Amerikë sollën mijëra viktima, jetë njerëzish të humbur dhe bënë që bota të nisë një luftë të re kundër grupeve terroriste.