2 milionë lekë shpërblim, kush jep informacion për vrasësin e Reçit

AKTUALITET


Drejtoria e policisë së Lezhës ka vënë në dispozicion një shumë prej 2 milionë lekësh të rinj për cilindo person që do të japë informacion në lidhje me vrasësit e Kastriot Reçit.

“Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë, për çdo informacion të saktë që do çojë në zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe vendndodhjen e autorit vë në dispozicion shumën 2 milionë lekë të rinj.

Kushdo që mund të ketë informacion të vlefshëm, të telefonojnë në numrin unik 112 dhe në numrin në dispozicion për këtë qëllim 069 41 06 449, duke ju garantuar anonimat të sigurt dhe reagim të menjëhershëm”, njofton policia.

Për zbardhjen e kësaj ngjarjeje është ngritur grupi i posaçëm hetimor, me specialistë nga Departamenti i Policisë Kriminale, DVP Lezhë dhe Komisariati i Policisë Mirditë, nën drejtimin e Prokurorisë dhe vijon puna për grumbullimin dhe administrimin e çdo prove sado të vlefshme që do t’i shërbejë hetimit.

Në ndihmë të DVP Lezhë dhe Komisariatit të Policisë Mirditë kanë shkuar disa grupe të FNSH Shkodër dhe vijon krehja e zonës, me qëllim kapjen e autorëve.

Ndërkohë, në bashkëpunim me DVP Shkodër, Tiranë e Kukës dhe Policinë Kufitare, janë shtuar kontrollet në akset rrugore dhe në kufirin e gjelbër, me qëllim parandalimin e daljes  jashtë vendit të autorit/ve të dyshuar.

Kastriot Reçi u vra mesditën e së martës përpara lokalit të tij në qytetin e Rrëshenit, ndërsa pistat hetimore të policisë janë ato të vrasjes për hakmarrje. Ai ishte një person me precedentë të mëparshëm kriminalë, ndërsa vëllai i tij është vrarë 3 vite më parë në Romë të Italisë për prishje të pazareve të drogës.



Skip to toolbar