Kryeministri Edi Rama ka përkujtuar 21 janarin përmes një postimi në rrjetet sociale. Ai shprehet se 15 vite më parë ndodhi një krim shtetëror i pashembullt dhe “katër të vrarë ende nuk prehen në paqe”.
Ai thekson se “drejtësia i ngjan një breshke që lutet për harresë”, por shpreh bindjen se drejtësia nuk do të harrojë.
“Mirëmëngjes dhe sot, në 15-vjetorin e një krimi shtetëror të pashembullt në historinë e demokracisë së re shqiptare, kur katër të vrarë ende nuk prehen dot në paqe dhe drejtësia i ngjan një breshke që lutet për harresë, me bindjen që sado të vonojë drejtësia për 21 janarin nuk do të harrojë, ju uroj të gjithëve një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Më 21 Janar të vitit 2011 gjatë protestës që u zhvillua nga opozita e asaj kohe përpara Kryeministrisë humbën jetën Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedja, të cilët 10 vite më vonë u shpallën nga qeveria socialiste “Dëshmorë të Atdheut”. Kujtojmë se Gjykata e Lartë ka vendosur më 12 mars 2024që dosja e 21 janarit të hetohet nga SPAK duke pranuar kërkesën e familjarëve të viktimave. Për këtë arsye, SPAK ka marrë në pyetje familjarë të viktimave, drejtues të gardës si dhe organizatorë të protestës.
