Ministria e Mbrojtjes njofton zyrtarisht se janë 24 persona që kanë ndërruar jetë si pasojë e tërmetit, 650 të tjerë janë plagosur dhe 45 persona janë shpëtuar gjallë nga rrënojat. Por, nga të dhënat e gazetarëve në terren të televizioneve informative, mëngjesin e së mërkurës janë gjetur edhe 4 trupa të tjerë të pajetë, duke e çuar në 28 numrin e viktimave të tërmetit. Të fundit që u nxorrën nga rrënojat ishin çifti Greku, duke e shuar përfundimisht këtë familje, pasi më herët kishte ndërruar jetë në spital edhe djali i tyre.
Operacionet e kërkim shpëtimit kanë vijuar gjatë gjithë natës në Durrës ku është shpëtuar Klajdi Qota, i cili u nxorr i gjallë nga rrënojat pas shumë orësh kërkimesh. Ndërsa në Thumanë kërkimet janë ndërprerë vetëm për pak orë gjatë natës dhe kanë rifilluar mëngjesin e së mërkurës. Nga të dhënat rezultojnë se janë edhe 10 persona të zhdukur për të cilët vazhdojnë kërkimet si në Durrës, ashtu edhe në Thumanë.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Mbrojtjes Civile dhe IGJEUM që prej mëngjesit të 26 nëntorit ora 3.54 kur goditja kryesore pati magnitude 6.3 ballë, e deri mëngjesin e së mërkurës janë shënuar 310 pasgoditje.
Në kampingun e Thumanës dhe pranë objekteve të dëmtuara janë ngritur 67 çadra në të cilat janë akomoduar 700 banorë.
Pranë kampingut të ngritur në qytetin e Durrësit dhe fshatrat Ishëm, Manzë, Sukth dhe Katund i Ri janë ngritur 181 çadra, ku janë akomoduar rreth 1450 banorë, si dhe janë montuar 10 banja fushore.
Mbi 200 specialistë të kërkim -shpëtimit dhe emergjencave civile nga: BE, Greqia, Turqia, Franca, Italia, Kroacia, Rumania, Zvicra, SHBA, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut kanë mbërritur orë pas ore në Shqipëri për të asistuar ekipet shqiptare.