25 shtetas kinezë janë ndaluar në aeroportin e Rinasit dhe u janë nënshtruar kontrolleve nëse janë se jo të infektuar me virusin vdekjeprurës koronavirus. Pas urdhrit të ministres së Shëndetësisë, në aeroportin e Rinasit është ngritur një qendër me mjekë dhe me pajisje të posaçme që kontrollojnë udhëtarët bazuar në masat dhe udhëzimet e OBSH-së. Fatmirësisht shtetasit kinezë kanë rezultuar të pastër dhe të painfektuar. Shqipëria është një ndër shtetet që paraqet rrezikshmëri të ulët për t’u infektuar nga ky virus por gjithësesi ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu udhëzoi institucionet që të marrin masat paraprake.
Virusi i ri vdekjeprurës në Kinë u ka marrë jetën 26 personave brenda katër ditëve, ndërsa mbi 616 të tjerë janë të prekur dhe po marrin trajtimin e duhur. Sipas ekspertëve është mësuar se ky virus mund të jetë përhapur nga një supë e gatuar me lakuriq nate, ndërsa dyshohet nga ana tjetër se infeksioni mund ta kenë përhapur edhe gjarpërinjtë, një ndër ushqimet më të preferuara për kinezët. Autoritetet kanë marrë masa, duke bllokuar qytetet e prekura më shumë, në mënyrë që të shmangin përhapjen e Koronavirusit. Qytetarëve u është bërë thirrje të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, ndërsa transporti publik në Wuhan është mbyllur dhe disa qytete janë vendosur në gjendje karantine.