“25 shkurt 2000?” Ismailaj nxjerr listëpagesat: Në atë kohë isha mësues në fshat

AKTUALITET


Kryetari i Bashkisë Mallakastër ka reaguar sërish për akuzat e Partisë Demokratike, se ai ka qenë i dënuar në Greqi, duke ngritur edhe një pyetje se çfarë i kujton 25 shkurti i vitit 2000. Për këtë pyetje, Qerim Ismailaj ka publikuar listëpagesat për vitet 1999-2000, ku Ismailaj shkruan se në atë datë, ai ka qenë në punë si mësues në shkollën 8-vjeçare të fshatit Çorrush të Mallakastrës.

“Do të doja që nëpërmjet këtij statusi të ndaja me ju një prononcim lidhur me deklaratat e bëra sot nga Partia Demokratike lidhur me emrin tim dhe të kaluarën time. Lidhur me pyetjen se çfarë më kujton 25 shkurti 2000, ju bëj me dije se më kujton një ditë normale pune si mësues në shkollën 8-vjeçare I. Shehu, Çorrush”, shkruan Ismailaj, duke publikuar edhe foto nga listëpagesat e atij viti.

Po ashtu, ai hedh poshtë akuzat se ka qenë ndonjëherë i inkriminuar, duke u shprehur se gjithçka ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit është e vërtetë. “Po ritheksoj dhe njëherë se për periudhat që kam punuar si emigrant ekonomik në Greqi nuk jam arrestuar apo ndaluar asnjëherë nga policia greke për çfarëdo arsye ligjore. Jam totalisht i qetë në ushtrimin e detyrës që më kanë besuar qytetarët mallakastriotë, pasi nuk kam mbi vete epitetet e hajdudit, trafikantit të qenieve njerëzore apo lëndëve narkotike, ashtu si mund t’i kenë eksponentë të caktuar të PD”, deklaroi Ismailaj.



Skip to toolbar