27-vjeçarja italo-shqiptare vret veten në burg, letra prekëse e gjyqtarit që e dënoi: Është edhe faji im

AKTUALITET


Donatella Hodo është kthyer në lajmin kryesor në Itali këto ditët e fundit.

27-vjeçarja italo-shqiptare vrau veten në burg, pasi ishte dënuar për vjedhje.

Ajo ishte e varur nga droga dhe gjashtë vitet e fundit të jetës së saj i kishte kaluar mes burgut dhe lirisë, pasi ishte ndaluar disa herë për vjedhje.

Gjyqtari Vincenzo Semeraro, që merrej me çështjen e saj, ka prekur Italinë ndërkohë, me rrëfimin e tij.

Ai thotë se në këtë rast dështoi sistemi, duke nisur nga ai vetë, që nuk arriti dot ta shpëtonte 27-vjeçaren.

“Pyes veten çfarë mund të kisha bërë më shumë për të? Nuk e kuptova që gjëndja e Donatellas ishte kaq e rëndë”, shprehet ai.

“Jemi njerëz në radhë të parë dhe pastaj gjykatës.

Dhe unë, si gjyqtar, por sidomos si njeri, e ndjej se kam dështuar, pasi një vajzë 27 vjeç, me të cilën merresha që prej vitit 2016, vrau veten”, shprehet Semeraro në një letër, e cila u lexua në funeralin e së ndjerës.

“Me rastin e saj ka dështuar sistemi dhe unë jam pjesë e këtij sistemi, pasi e ndiqja atë prej 6 vitesh”, vijon ai.

“Ndoshta burgu nuk është për vajzat, pasi ndryshe nga meshkujt, ato janë më të ndjeshme. Ndoshta duhet të gjejmë një mënyrë tjetër dënimi”, thotë gjyqtari.

Pas funeralit, ai u takua me babain e vajzës.

“U përqafuam dhe qamë të dy bashkë.

Të dy ndiheshim fajtorë për vdekjen e saj, unë si gjyqtar e ai si prind.

Ishte prekëse, por ai më falenderoi dhe tha se e bija fliste për mua si për një baba të dytë. Më drithëroi”, përfundon gjyqtari, që ka folur për Corriere.it.



Skip to toolbar