Sot, datëlindja e parë e shkrimtarit të madh Ismail Kadare, pas ndarjes së tij nga jeta. Ndryshe nga çdo herë tjetër, kthehet me trishtim në një ditë përkujtimore. Për Presidentin Bajram Begaj, ky 28 Janar shënon një moment që ne duhet të ndihemi krenarë për kolosin, por nga ana tjetër thekson se ai do jetojë përgjithnjë përmes librave të tij.
“Ne ndihemi krenarë që gjeniu shqiptar i letrave ka zënë një vend të nderuar në panteonin e letërsisë dhe kulturës botërore. Me prozën dhe poezinë e vet, ai i prezantoi botës autenticitetin dhe lashtësinë e ekzistencës sonë kombëtare. Kadare dëshmoi në çdo faqe të veprave të tij forcën titanike, sakrificat dhe përkushtimin e popullit tonë për të qenë pjesë e kulturës evropiane dhe botës progresiste. Për aq kohë sa lexuesit në mbarë botën do të vijojnë të lexojnë librat e tij, Kadare do të jetojë për t’i treguar botës mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, dramën historike, krenarinë dhe vitalitetin e kombit tonë”, shkruan Presidenti në një postim në Facebook.
Kadare u nda nga jeta në moshën 88 vjeçare më 1 Korrik 2024, pas një arresti kardiak respirator. Ai është autori i një sërë kryeveprash letrare me jehonë ndërkombëtare, të cilat i la si një trashëgimi tejet të vyer.