Edhe pse e vetme në zgjedhjet e 30 Qershorit dhe me të gjitha mundësitë për të marrë nën kontroll të 61 bashkitë e vendit, duket se filtrat e kontrollit, por më së shumti ndershmëria e kandidatëve të Partisë Socialiste, nuk ka funksionuar siç duhet.
Menjëherë pas shpalljes së rezultateve, opozita nisi sulmet ndaj kryetarëve të rinj të Bashkive. I pari ishte Valdrin Pjetri. Nga foltorja e Partisë Demokratike, zyrtarë të ndryshëm të saj fillimisht kërkuan vetëm verbalisht largimin e tij, duke mos paraqitur asnjë dokument. Por me kalimin e ditëve dhe me mohimet e vazhdueshme të Valdrin Pjetrit, selia blu publikoi shkresat zyrtare të shtetit italian, ku ai rezultonte i dënuar dhe i dëbuar. Dënim i cili nuk ishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit. Me 15 gusht, Valdrin Pjetri me anë të një statusi në Facebook, dha dorëheqjen. Ndaj tij, Prokuroria nisi hetimet për falsifikim të formularit të dekriminalizimit.
Paralelisht me rastin Pjetri, Partia Demokratike kishte nisur denoncimet dhe për dy kryebashkiakë të tjerë, Agim Kajmakun e Vorës dhe Mark Babanin e Vaut të Dejës. Kajmaku u akuzua se ishte dënuar në Greqi, nën emrin Jorgo Toto. Ndërsa Babani në Itali, edhe ai nën një emer tjetër, Marq Babani. Të dy kryebashkiakët i hodhën poshtë akuzat, madje Kajmaku publikoi dhe foto duke hyrë në territorin grek. Por përgjigjet e ardhura pak javë më pas nga autoritetet greke, konfirmuan se Agim Kajmaku ishte pikërisht Jorgo Toto, i dënuar në Greqi për falsifikim parash. Më 1 nëntor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve votoi në mënyrë unanime shkarkimin e tij nga posti i Kryetarit të Bashkisë Vorë. Por veç kësaj, Kajmaku është shpallur në kërkim nga drejtësia, pasi ndaj tij rëndojnë tre akuza, falsifikim i dokumenteve, shpërdorim detyre dhe kryerje e funksioneve pas dhënies fund të detyrës.
Ndërkaq, Mark Babani vijon t’i mohoi akuzat dhe ka depozituar në Prokurori shenjat e gishtave dhe është në pritje të materialeve nga pala italiane. Një tjetër kryebashkiake e larguar, por jo për shkak të të shkuarës së saj apo denoncimeve të opozitës, ishte ajo e Durrësit, Valbona Sako. Një deklaratë publike e bërë pas tërmetit, solli reagime të shumta publike, të cilat e çuan atë drejt dorëheqjes.
Agron Malaj, ish-Gardisti i 21 janarit, i cili tashmë është kryetar i Bashkisë Mat, nën ngjyrat e Partisë Socialiste, u akuzua se pavarësisht se e kishte deklaruar një dënim të tij në vitin 1999 për armëmbajtje pa leje, sipas PD, ky dënim i ndalon kandidimin përjetë për një funksion publik.
Qerim Ismailaj i Bashkisë Mallakastër ishte kryebashkiaku i radhës që u vu nën shënjestrën e Partisë Demokratike. Selia blu publikoi dokumentin e Prokurorisë së Athinës, ku thuhej se Gjykata e Kiosit e ka dënuar me 3 vite burg Ismailajn. Ky i fundit deklaroi se nuk kishte qenë në dijeni të dënimit dhe menjëherë është drejtuar pranë organit të akuzës, ku ka depozituar shenjat e gishtave. Realstory.al