Gjatë vitit 2018 janë konstatuar 376 raste të dyshuara për financim terrorizmi dhe pastrim parash, të cilat janë referuar në prokurori dhe polici për verifikime. Rastet e dyshuara u raportuan nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave në Komisionin e Sigurisë, të cilat si përkasin organizatave jo fitimprurëse dhe i janë referuar Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Përgjithshme.
Shifrat u bënë të ditura në Komisionin e Sigurisë nga Agron Muslia, drejtor i analizës së përputhshmërisë pranë institucionit të parandalimit të pastrimit të parave.
“Në vitin 2018 janë gjithsej 376 raste, pjesa më e madhe është dërguar në Polici dhe 33 raste janë dërguar në Prokurorinë e Përgjithshme. Pjesa dërmuese e tyre është për dyshimet që kemi pasur për pastrim të produkteve të veprës penale. Ka pasur edhe raste të dyshuar për financim të terrorizmit”, deklaroi Muslia.
I ftuar për të raportuar në Komision ishte dhe Elvis Koçi, Drejtor i Parandalimit të Pastrimit të Parave, i cili u pyet dhe për rastin e dy vëllezërve indianë të cilët akuzohen për pastrim parash në vendin tonë. “Ne i kemi përfshirë tashmë në kompanitë e ndërtimit në listën e subjekteve, që janë subjekte raportuese për ne”, deklaroi Koçi. Raportimi i të dhënave në Komisionin e Sigurisë është bërë gjatë diskutimit të ndryshimit të ligjit për parandalimin e pastrimit të parave, ku ndër të tjera çdo subjekt do të detyrohet të ketë një llogari bankare për realizimin e transaksioneve financiare. Në këtë mënyrë shumat që do të qarkullojnë do të jenë të verifikueshme.