Një tërmet me madhësi 4.5 është regjistruar në Itali, në provincën e Firencës, në Mugello në orën 4.37 të natës, ndërkohë që epiqendra ndodhej në një thellësi prej 9 km. Tërmeti u shoqërua me një seri pasgoditjesh në zonën e Mugellos që shkaktuan dëmtime në ndërtesat afër epiqendrës.
Shkollat u mbyllën në disa bashki të zonës, por fatmirësisht përveç dëmeve në ndërtesa nuk raportohen të plagosur.
Njësitë e menaxhimit të krizës u hapën në të gjitha bashkitë e prekura nga tërmeti. “Nuk ka situatë alarmi, nuk ka të plagosur dhe dëmet e regjistruara në disa ndërtesa nuk janë serioze”, ka deklaruar prefektja e Firencës, Laura Lega.
Ndërkohë, pas kontrolleve teknike në linjat hekurudhore të rregulluara menjëherë pas goditjes me madhësi 4.5, në 8:25 të mëngjesit, trenat me shpejtësi të lartë midis Firencës dhe Bolonjës rifilluan qarkullimin.
Si pasojë e tërmetit, shumë njerëz dolën në rrugë duke braktisur shtëpitë dhe u strehuan në makina ku kaluan natën.
Filippo Carlà Campa, kryetari i komunës së Vichio tha se tërmeti i këtij viti shënon 100 vjetorin e tërmetit që shkatërroi Mugellon në vitin 1919.