5 frontet e konfliktit Iran-Izrael dhe rreziku i përplasjes totale nëse kombinohen

BOTA


Dueli Iran-Izrael ka pesë rrathë, fronte të ndryshme që sapo të bashkohen shndërrohen në konflikt total. Varet nga vendimi i drejtuesve, nga momenti dhe nga ngjarje që nuk janë gjithmonë të parashikueshme.

Lufta e hijeve 

Është ajo e kryer në të kaluarën me efektivitet të madh dhe rezultate domethënëse. Izraeli ka eliminuar shkencëtarët, ka sabotuar objektet, ka penguar rrjedhën e armëve/teknologjisë në favor të Republikës Islamike dhe milicive shiite. Këtu ka prita, bastisje bazash, autokolona kamionësh. Teherani u përgjigj me sulme dhe bombardime, duke përdorur celula – për shembull Hezbollahun libanez – të akuzuar për sulme hakmarrëse.

Lufta në det

Anijet tregtare, cisternat e naftës dhe në të paktën një rast të njohur, një anije mëmë e përdorur nga inteligjenca e Gardës Revolucionare në Detin e Kuq janë në shënjestër. Saviz, ky është emri i anijes që u dëmtua në vitin 2021 nga forcat speciale izraelite dhe u zëvendësua nga Beshad, që sapo ishte kthyer në shtëpi për të shmangur përfshirjen në reprezalje. Bombat shpërthyese të vendosura nga komando dhe dronët kamikazë ishin armët e përdorura. Marina konvencionale, të cilat kanë mbetur në prapavijë, kanë forcën për të ngritur sfidën, kjo pasi iranianët po punojnë për ta përmirësuar atë. Ata nuk i fshehin ambiciet përtej Gjirit, ndërsa Tel Avivi ka njësi moderne dhe nëndetëse raketore.

Lufta në qiell

Përdorimi i gjerë i aviacionit, dronëve kamikazë dhe sulmues, e po ashtu të raketave të të gjitha llojeve. Raketa balistike, lundruese, apo të thjeshta, të cilat sigurisht nuk janë të sofistikuara, por që në duart e milicive aleate me Teheranin marrin një vlerë politike. Sepse ato i lejojnë Iranit të synojë kundërshtarin pa u shqetësuar shumë për efektet dhe saktësinë. Nga ana tjetër, shteti hebre ka në dispozicion luftarakë, teknologji superiore, një mburojë kundërajrore si Iron Dome që ka rezultuar efektive dhe transportues me rreze të gjatë. Janë sisteme me të cilat kryhen operacione klasike por edhe atentate të synuara. Ditët e fundit dueistët kanë bërë një kthesë, sa të duash simbolike – për disa thjesht një shfaqje – e cila megjithatë çoi në shkeljen e vijës së kuqe. Ata sulmuan njëri-tjetrin në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe “publike”, ndonëse me dallime në formën e sulmit. Vëzhguesit me të drejtë përsërisin se një tabu është thyer.

Lufta e fjalëve

Kërcënime, premtime për surpriza, aludime për pajisje speciale dhe zgjidhje të ideuara “me imagjinatë”. Fushata propagandistike ka qenë gjithmonë intensive, duke theksuar tonin për qëllime të brendshme, me mesazhe të dedikuara për opinionin publik përkatës dhe partnerët ndërkombëtarë. Mossad heshti, duke e shtyrë qeverinë të përshtatej, ndërsa vërehet se ka një prani më të madhe mediatike. Vlen këtu të përmendet rasti i famshëm në të cilin Bibi Netanyahu zbuloi para kamerave në prill 2018 vjedhjen e arkivit bërthamor iranian të kryer – sipas versionit zyrtar – nga shërbimet sekrete.

Lufta me prokurë

Ajo bën pjesë në secilën nga kategoritë e mëparshme, me pak më shumë të dhëna. Izraeli (regjimet sunite të Gjirit dhe në të kaluarën edhe SHBA) në disa raste mbështeten në ndihmën e grupeve opozitare të brendshme iraniane: baluçit, kurdët, arabët nga Ahwazi, nacionalistët, muxhahidët. Ato janë formacione autonome të cilat, megjithatë, mund të japin një dorë për të shkaktuar probleme.

Një zgjedhje e Mossad-it që daton më shumë se një dekadë më parë, i lejon asaj të aktivizojë bërthamat tashmë të pranishme të cilat janë të pajisura me mjetet e nevojshme (dronë, eksplozivë, këshilla) dhe të shmangë rreziqet për agjentët e saj. Irani, përveç milicive të trajnuara mirë me arsenal të mjaftueshëm – përmendim këtu Huthit në Jemen dhe vetë Hamasin palestinez – ka prezantuar një variant, që është përdorimi i të huajve, shpesh figura të lidhura me botën e krimit, të gatshëm për të kryer misionet anti-izraelite.



Skip to toolbar