Vendimi, 5 me 0 kundër dekretit, Metës nuk i pritet. Konferencë pas kafes së mëngjesit… nesër

AKTUALITET


Presidenti Meta ka lënë orën 08:00 të mëngjesit të së martës për të folur për vendimin e Kolegjit Zgjedhor, fiks pas kafes së mëngjesit. Meta  i ka dhënë afërsisht 18 orë kohë vetes për të përtypur vendimin unanim të Kolegjit Zgjedhor që rrëzon dekretin e tij për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit dhe i jep  të drejtë maxhorancës të vijojë punën me zhvillimin e procesit zgjedhor.

Kolegji Zgjedhor e rrëzoi 5 me 0 dekretin e Metës duke lënë në fuqi zgjedhjet e 30 qershorit, ndërkohë që presidenca njofton se pikërisht për këtë çështjet Presidenti do të dalë të martën në orën 8 të mëngjesit në një konferencë për shtyp.

Ndërsa zëdhënësi i presidentit e cilësoi këtë vendim “një skeç të orkestruar prej kohësh”, vetë presidenti duket se do ta trajtojë më seriozisht.

Ai pritet të flasë të martën për këtë vendim, ndërkohë që paraprakisht opozita është shprehur se nuk e njeh vendimin e Kolegjit Zgjedhor, duke i paraprirë kështu edhe qëndrimit të së martës të presidentit, nisur edhe nga zhvillimet e kohëve të fundit, ku opozita dhe presidenti kanë pasur qëndrime të njehtësuara.  

Nga ana tjetër zëdhënësja e qeverisë, Elisa Spiropali e ka cilësuar reagimin e zëdhënësit të Metës, si reagimin e agresorit kur bën viktimën.

 “Ai momenti kur Ilir Meta nuk ndikon dot më mbi trupin gjykues dhe flet për skeç të orkestruar, fiks si ai momenti kur agresori bën viktimën duke folur për kurth të organizuar nga viktima!”, shkruan Spiropali.

Ndërsa Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj e ka cilësuar vendimin e Kolegjit Zgjedhor, si fitore të Shqipërisë, teksa thotë se humbi paria.

‘U kry! Fitoi Shqiperia, humbi paria! Shihemi te Dielen! Kolegji Zgjedhor rrëzon Ilir Metën, zgjedhjet më 30 qershor’, shkruan Veliaj në një postim në Twitter.

Kolegji Zgjedhor vendosi të hënën të rrëzojë kërkesën e Idajet Beqirit për t’u çregjistruar nga zgjedhjet e 30 qershorit për shkak se ato janë anuluar nga presidenti Meta. Me këtë vendim Kolegji Mbajti në fuqi datën 30 qershor për zhvillimin e zgjedhjeve duke rrëzuar dekretin për anulimin e tyre.



Skip to toolbar