5 të plagosur në Fier, zbulohen autorët. Si nisi sherri nga lokali deri në spital

AKTUALITET


Policia ka zbardhur detaje të reja të ngjarjes së rëndë që ndodhi Fier, nga e cila mbetën të plagosur pesë persona, ku një i ri mbeti i plagosur në spital, pasi autori i rrëmbeu pistoletën policit dhe qëlloi mbi të. Sipas burimeve zyrtare, ngjarja ka nisur në një lokal Levan të Fierit gjatë një konflikti mes dy familjeve.

Konflikti ka nisur mes familjes Zhapa dhe Braçe ku më pas kanë mbetur të plagosur 4 persona, dy prej të cilëve Gentian Zhapa dhe Aldo Zhapa janë plagosur me sende të forta (kushërinj të parë me njëri-tjetri) dhe janë në pavijonin e kirurgjisë. Ndërsa dy të plagosurit e tjerë me mjete prerëse janë Erlind Muçaj dhe Klajdi Lamaj.

Po ashtu nga ky konflikt ka mbetur i plagosur edhe Aleksandër Zhapa (babai i Gentian Zhapës). Aleksandër Zhapa është plagosur në ambientet e brendshme të spitalit Rajonal të Fierit, ku autori E. Braçe i ka marrë armën nga brezi një efektivi policie dhe ka qëlluar mbi Aleksandër Zhapën duke e lënë të plagosur.

Policia e Fierit së bashku me FNSH kanë bërë të mundur rrethimin e menjëhershëm të spitalit dhe kapjen e autorit të plagosjes me armë zjarri E. Braçe ndërsa është arrestuar edhe D. Braçe.  Po ashtu në lidhje me këtë ngjarje është shpallur në kërkim edhe një person i tretë.

Për sa u përket të plagosurve deri më tani janë nën kujdesin intensiv të mjekëve.

Ndërkohë, për hetimin e kësaj ngjarje Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ka ngritur një grup të posaçëm hetimor me Specialistë të Hetimit të Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale.

Njëkohësisht me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në vendngjarje kanë shkuar edhe specialistët e Drejtorisë së Standardeve Profesionale në Polici, për të verifikuar veprimet e punonjësve që ishin në momentet e para në Urgjencën e spitalit.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier po vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, motivit të konfliktit si dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës.

Mjekët e spitalit të Fierit thonë se gjendja e 5 të plagosurve nga sherri i një dite më parë janë jashtë rrezikut për jetën. “Në spitalin e Fierit kemi 5 persona, dy janë në reanimacion dhe tre persona të tjerë janë në pavion jashtë rrezikut. Njëri nga pacientët ka bërë operacion, pacienti tjetër kishte një plagë shpuese, personi i plagosur me armë zjarri kishte dy plagë në kyçin e dorës dhe në shpatull, pa qenë plumbi prezent brenda dhe dy persona të tjerë të rrahuar me trauma sipërfaqësore. Ne kemi reaguar menjëherë. Për gjithë pacientët i është kryer ekzaminimi”, u shpreh mjeku për mediat.



Skip to toolbar