Ekstradohet drejt Shqipërisë Arbër Çekaj

AKTUALITET


Zëvendës drejtoresha e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj bëri të ditur se gjatë të enjtes do të bëhet i mundur ekstradimi drejt Shqipërisë i Arbër Çekajt i cili është pronari i kontenierit ku u zbuluan 613 kg. kokainë rreth 1 vit më herët.

Kokaina u zbulua në magazinat e kompanisë “Arbri Garden”, në Maminas, ndërsa Arbër Çekaj u arrestua në Gjermani.

Ai ishte shpallur person në kërkim ndërkombëtar që prej datës 1 mars të vitit 2018. Arbër Çekaj u arrestua në një banesë në një provincë në Dyseldorfit.

Zbulimi i vendndodhjes së tij u arrit gjatë shkëmbimit të informacionit mes oficerëve të Interpolit shqiptar dhe gjerman.

Mësohet se Çekaj, gjatë kësaj kohe, ka përdorur edhe mbiemrin Jansen, të bashkëshortes së tij, megjithëse zyrtarisht në dokumente vijonte të kishte gjeneralitetet Arbër Çekaj.

Për sasinë rekord të kokainës, më 28 shkurt të vitit 2018 u arrestua Armando Pezaku, që drejtonte kamionin me targë DR 3819 dhe Donaldo Lushaj, që ndodhej si pasagjer, i cili kishte detyrën e menaxherit dhe do merrte në dorëzim mallin e mbërritur nga Kolumbia.

Ekstradimi i Çekajt bën të mundur gjykimin e tij nga gjykatat shqiptare.



Skip to toolbar