Një vit pas asaj çka u cilësua “Skandali i Unazës së Tiranës”, opinioni publik është njohur përciptazi e kryesisht përmes akuzave politike ndërsa ka munguar argumentimi ligjor, i bazuar në dokumentet zyrtare. Derisa Prokuroria të përmbyllë hetimet dhe zbardhë të vërtetën, disa fakte janë tanimë krejtësisht të qarta për këdo që dëshiron tu referohet dokumenteve.
Akuza Nr.1: Qeveria vodhi 40 milion euro në projektin e Unazës!
Faktet: Nga Buxheti i Shtetit nuk është nxjerrë deri më tani asnjë qindarkë. Në asnjërin prej tre segmenteve nga Pallati me Shigjeta deri tek nyja e Sheshit Shqiponja nuk ka filluar ende puna pasi nuk janë prishur objektet që do duhet ti hapnin kantierin firmave private për të kryer punimet. Rrjedhimisht, deri më sot, e gjithë çështja e skandalit të Unazës së Tiranës përveçse ka shërbyer si ‘ushqim’ në luftën politike, nuk ka sjellë asnjë efekt ekonomik negativ për taksapaguesit. Thënë më thjesht, nuk ka asnjë dëm ekonomik.
Akuza Nr.2: Qeveria kishte ndërmend të vidhte 40 milion euro por u zbulua!
Faktet: Në infrastrukturën rrugore mekanizmi i financimit të ndërtimit të veprave është krejtësisht i kontrollueshëm. Së pari, kompania kryen volumin e punimeve me paratë e saj. Këto punime çertifikohen nga supervizori që ndjek zbatimin e projektit në terren sipas grafikut të punimeve i miratuar nga Autoriteti Rrugor. Pasi kryhet një volum i caktuar punimesh, kompania dhe supervizori i drejtohen Autoritetit Rrugor për të marrë pagesën për vlerën e punimeve të kryera dhe faktike në terren.
Pra, qartësisht skenari që kompanitë të merrnin 40 milion euro dhe të zhdukeshin nuk është i mundshëm, pasi ato nuk marrin dot lekë pa dorëzuar situacionet e punimeve të kryera në terren. Projekti i bërë publik për të 3 lotet ka volumet e punës dhe të dhënat konkrete për çdo element të rrugës. Pra, çdokush mund të kontrollojë në terren nëse fjala bie është ndërtuar një trotuar apo jo, një kanalizim apo një shtresë asfaltike. Që tre kompanitë fituese të mund të merrnin 40 milion eurot do duhej që të dorëzonin të përfunduar segmentin e Unazës së Tiranës nga Pallati me Shigjeta deri tek Sheshi Shqiponja. Si mundet që qeveria të ndërtonte Unazën por edhe njëkohësisht të vidhte 40 milion eurot?!
Akuza Nr.3: Një kilometër rrugë kushton 20 milion euro pasi 2 kilometra bëjnë 40 milion euro!
Faktet: Aksi nga Pallati me Shigjeta deri tek Sheshi Shqiponja përbëhet nga: a) 2.34 kilometër rrugë kategoria “Autostradë Urbane”. Korsikalimi 2×3.75 m; korsi emergjence 3m; trafik ndarësja me panelin antizhurmë; brez i gjelbërt; 2 bankina 0.7m. b) 6.63 kilometër rrugë dytësore shërbimi “Kategoria F” në të dyja anët e Unazës. 2 korsi me dy sense 3.5m + 2 bankina 0.5m; brez i gjelbëruar 1 m; 2 korsi biçikletash 2.5 m dhe trotuaret 2.5 m. c) 1.88 kilometër vepra inxhinierike. Në Lotin e pare Mbikalim Sheshi Shqiponja, nënkalim Sheshi Shqiponja, mbikalim nr.1.
Në Lotin e 2 nënkalim Lana, nënkalim tek Astiri dhe në lotin 3 mbikalim. Veprat inxhinierike kushtojnë 29,43 milion Euro, ose thënë ndryshe 73.6% e totalit të kostos së segmentit Pallati me Shigjeta – Sheshi Shqiponja. Vetëm 24.8% e kostos totale ose thënë ndryshe 9,93 milion euro kushtonin 8.97 kilometër rrugë prej të cilave 2.34 km rrugë kryesore dhe 6.63 km rrugë dytësore. 1.6% përbëjnë kostot plotësuese përfshirë depozitimin e mbetjeve. Pra, së pari nuk kemi të bëjme me 2 kilometër rrugë por me 8.97 kilometra. Gjithashtu, këto nuk kushtojnë 40 milion e as 20 milion por 9.93 milion euro.
Akuza Nr.4: Projekti i Unazës ka kostot të fryra pasi nuk kushton realisht 40 milion euro!
Faktet: Autoriteti Rrugor ka kryer llogaritjen e kostove bazuar në Manualin Teknik të Çmimeve të Punimeve të Ndërtimit. Ky dokument është përditësuar me çmimet e tregut dhe miratuar në 15 Korrik 2015, me propozim të Ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto. Manuali është dokument publik dhe kostoja e Unazës është përcaktuar pikërisht në formën volum punimesh, shumëzuar me çmimin e përcaktuar në manual. Për të kuptuar sa qëndron pretendimi për fryrje kostosh, do të krahasojmë koston e segmentit “Komuna e Parisit-Shkolla Teknologjike” dhe segmentin “Shkolla Teknologjike- Sheshi Shqiponja”. Për efekt krahasimor, “Nyja e Shqiponjës” do të vlerësohet me vete pasi segmenti i mëparshëm i Unazës nuk ka një vepër të tillë infrastrukturore.
Segmenti “Komuna e Parisit-Pallati me Shigjeta” është projektuar dhe tenderuar në kohën e qeverisjes së Lulzim Bashës në Bashkinë e Tiranës dhe atë të Partisë Demokratike dhe LSI në qeverinë qendrore. Ky segment ka 2 mbikalime; 2.05 km rrugë kryesore dhe 4.22 km rrugë dytësore. Ky segment i unazës ka kushtuar në total 29 milion euro. Brenda kësaj shume, përfshihet: 14,92 milion euro kosto e veprave inxhinierike (mbikalime-nënkalime); 14,03 milion euro kosto e 6.27 km rrugë kryesore dhe rrugë dytësore. Kosto mesatare për kilometër rrugë në këtë projekt arrin në 2,24 milion euro.
Ndërkaq, segmenti aktual “Pallati me Shigjeta – Sheshi Shqiponja” ka 2 mbikalime, 1 urë; 3 nënkalime; 2.34 kilometër rrugë kryesore; 6.63 km rrugë dytësore. Ky segment i unazës kushton 30 milion euro. Brenda kësaj shume, përvec kostos së depozitimit të mbetjeve, përfshihen: 19,74 milion euro kosto e veprave inxhinierike (mbikalime-nënkalime, pa nyjen e Shqiponjës); 9,93 milion euro kosto e 8.97 km rrugë kryesore dhe rrugë dytësore. Kosto mesatare për kilometër rrugë në këtë projekt arrin në 1,11 milion euro.
Në konkluzion: Çmimet e lëndëve të para që përdoren për ndërtimin e rrugës, sipas të dhënave të konfirmuara edhe nga INSTAT kanë ndryshuar me rreth 30% në rritje krahasuar me vitin 2012. Pavarësisht kësaj, segmenti i Unazës tenderuar në kohën e PD si kosto totale është 9% më i shtrenjtë se sa ai i tenderuar në kohën e PS. Qartësisht, kosto për kilometër rrugë në projektin e kohës së PS (1,11 milion euro/km) është gjysma e kostos për kilometër të projektit të kohës së PD (2,24 milion euro/km).
Akuza Nr.5: Kostoja e Nyjes së Shqiponjës është e fryrë dhe abuzive!
Faktet: Projekti fillestar për Nyjen e Shqiponjës përfshinte mbikalim 430 m; rrethrrotullim në nivel dhe nënkalim 310 m. Pra, një strukturë me zgjidhje inxhinierike me tre nivele dhe kostoja e saj arrinte në 9.7 milion euro. Për efekt krahasimor po ju referohemi disa veprave inxhinierike të cilat shumica e qytetarëve i njohin dhe i kanë përshkuar me mjete por nuk e dinë se sa kanë kushtuar.
Mbikalimi i Kamzës, ndërtuar në kohën e qeverisjes së PD përfshin vetëm 50 m mbikalim dhe një rrethrrotullim në nivel. Kostoja e tij ka qenë 8.4 milion euro. Mbikalimi i Shkozetit i ndërtuar në kuadër të bajpasit të Durrësit ka kushtuar 6.7 milion euro.
Konkluzion: Nëse do të llogariteshin të njëjtat volume pune me çmimet e sotme të lëndëve të para, mbikalimi i Kamzës do të kushtonte 10,9 milion euro ndërsa mbikalimi i Shkozetit do arrinte në 8.71 milion euro. Kushdo është i lire të shohë ndryshimin qoftë edhe nga ana vizuale e jo më nga pikëpamja teknike mes këtyre veprave dhe Nyjes së Shqiponjës.
Akuza Nr. 6: Qeveria favorizoi kompaninë “DH Albania” e cila fitoi garën me dokumente të falsifikuara!
Faktet: Bazuar mbi VKM e datës 29 Dhjetor 2014 dhe Ligjin e Prokurimit Publik, parashikohet shprehimisht se procesi i vetdeklarimit të të dhënave në garë bëhet nën përgjegjësinë e plotë të kandidatit ose ofertuesit. Është ky i fundit që sipas ligjit mban përgjegjësi për dokumentacionin e dorëzuar, vërtetësinë e tyre dhe përmbushjen e kritereve. Gara është e hapur dhe zhvillohet përmes platformës online të Agjencisë së Prokurimit Publik.
Bazuar në përcaktimet ligjore, autoriteti kontraktor është përgjegjës vetëm për shqyrtimin dhe vlerësimin e ofertave. Vetëm në raste kur ka dyshime të arsyeshme paraprake, autoriteti mund të kryejë një procedurë verifikimi. Në rastin konkret, në fazën e garës dhe deri pas shpalljes së fituesit dhe lidhjes së kontratës, nuk ka patur asnjë dyshim të arsyeshëm mbi vërtetësinë e dokumentacioneve.
Sapo u vu në dijeni për përdorimin e dokumenteve false në këtë garë, ARRSH: 1) Zgjidhi dhe anuloi kontratën me “DH Albania dhe Biba X”; 2) kallëzoi në prokurori rastin dhe vuri në dispozicion të gjithë dosjen; 3) kërkoi sekuestrimin e garancive të kontratës; 4) propozoi APP ndëshkimin e kompanive; 5) vuri në dispozicion informacionin e nevojshëm dhe kërkoi nga autoritetet amerikane verifikimin e dokumentacionit të pretenduar si i falsifikuar.
Aktualisht, ARRSH ka fituar në Gjykatën e Shkallës së pare Administrative të drejtën për të arkëtuar 1.8 milion eurot e sigurimit të kontratës.
Akuza Nr.7: Garat për 3 lotet e unazës u bënë fiktive pa konkurrentë!
Faktet: Procedurat e garave janë zhvilluar të hapura përmes sistemit eletronik të Agjencisë së Prokurimit Publik. Bazuar në VKM mbi rregullat e prokurimit publik, që të vazhdojë procesi i përzgjedhjes së fituesit në një procedurë duhet të pranohet së paku një ofertë e vlefshme. Pra, ligji e konsideron të pranueshme edhe nëse në një garë merr pjesë vetëm një konkurent. Subjekti “Vëllezërit Hysa” rezultoi se ishte futur në garë në të tre lotet por nuk kishte paraqitur ofertë.
Fakt që bazuar në ligj e konsideron të pavlefshëm këtë pjesëmarrje të kësaj kompanie. Fakti që në ritenderimin e kryer gjatë vitit 2019 për lotin e parë të Unazës u fut me ofertë konkrete subjekti “Vëllezërit Hysa” ashtu sikurse disa konsorciume kompanish të tjera tregon qartësisht se nuk ka patur kritere diskriminuese as në garat e mëparshme. Kompanitë janë në të drejtën e tyre të futen ose jo në një garë të caktuar. / Tema