Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, reagon ashpër pas sherrit të Presidentit Ilir Meta me Policinë Bashkiake, të cilët kishin shkuar për të liruar zyrat e Frymës së Re Demokratike.
Në një lidhje telefonike për “News24”, Veliaj e quajti Metën një të degraduar mendor, që sipas tij, përdori grushtet, bullizmin, kërcënimin dhe prekjen me dorë ndaj uniformave blu.
“Nëse Presidenti për çdo paqartësi që ka shkon dhe zihet me grushte, fyen uniformat, i bullizon, i kërcënon, dhe prek me dorë e rrihet, kemi të bëjmë me një degradim të rëndë të presidentit dhe institucionit. Nëse dikush ka problem me një shkresë, mjafton të shkojë në Gjykatën Administrative, siç bëj unë. Presidenti duhet të kuptojë se ajo është një zyrë në pronësi të Bashkisë së Tiranës, me hipotekë. Sipas ligjit për partitë politike, partitë që nuk kanë asnjë mandat parlamentar dhe as 1% të votave të popullit, nuk e detyrojnë dot bashkinë. Mënyra më e shkurtër e strehimit në Tiranë do të ishte, krijo një parti dhe shko zapto një pronë, por kjo nuk funksionon. Kur shumë parti të tjera si partia e z.Milo, ajo e Lirive të Mohuara, etj, e kanë respektuar lirimin e ambientit, pasi iu ka mbaruar kontrata, është kërkuar me shumë mirësjellje lirimi i ambienteve edhe për këta.
E kemi kërkuar lirimin nga të gjitha partitë politike dhe të gjitha e kanë bërë qartazi, kjo parti vendosi të mos zbatonte ligjin, të sillet si zaptuese dhe të provokojë me presidentit, një njeri të çoroditur mendërisht. Është gjynah, për të ardhur keq. Nëse ka nevojë për sqarime kjo mund të bëhet në bashki, ose të çohet në gjykatë. përdorimi i njerëzve që kanë degraduar mendërisht më duket fyerje e madhe edhe për institucionin e Presidencës.
Sa i përket pronës publike të Bashkisë së Tiranës është, ka qenë dhe do të jetë pronë e bashkisë. Unë e kuptoj që partitë politike pronën publike këtu e kanë abuzuar si interes të tyre. Këtë nuk e luan as topi, që kjo do të ndryshojë. Me këtë politikën e Metës dhe Berishës “KCK”, dua t’i them Ilir Metës dhe kujtdo të kjo minorancë se ‘koha jua mbaroi, nuk keni shans, do ta lironi pronën publike’. Burrat e dhunshëm, ata të alkoolizuar, jemi gati t’iu ofrojmë programe falas për rehabilitim, secili duhet të ketë një shans të dytë dhe ne jemi të gatshëm t’ua japim.
Do prisni të lirojnë zyrat apo do të ndërhyni?
Veliaj: Sot ishte skadenca e 10 ditëshit dhe duke qenë se zotëria e dinte këtë, sot ftoi të fortin e lagjes. Më duket degradim total i këtyre, që nuk kanë asnjë votë dhe i zgjidhin gjërat me mënyra mesjetare. Ky nuk është problemi im.