Kontrata e lidhur mes Bashkisë së Tiranës dhe Partisë Fryma e Re Demokratike për dhënien në përdorim të disa zyrave për t’u përdorur për seli ka mëse 4 vite që ka përfunduar.
Sikurse mund të shihni edhe nga këto dokumente, kontrata e lidhur për dhënien në përdorim të zyrave që ndodhen në godinën e Bashkisë së Tiranës që më parë ka qenë ish selia historike e PD është lidhur më 3 mars 2016 me afat vetëm një vit. Kjo kontratë jo vetëm që ka përfunduar, por nuk është rinovuar më nga palët.
Në nenin 5 kontratës, thuhet se ajo lidhet me një afat 1-vjeccar dhe hyn në fuqi menjëheerë në momentin e marrjes në dorëzim të sendit, ku është mbajtur edhe një procesverbal për gjendjen dhe sendet në ato zyra.
Por edhe pse kontrata ka skaduar, FRD e drejtuar nga Sali Shehu vijon të mbajë të uzurpuara zyrat në katin e tretë të godinës së Bashkisë së Tiranës ku ndodhen edhe shumë zyra të tjera që ofrojnë shërbime publike për qytetarët.
Godina në të cilën Fryma e Re Demokratike ka selinë e saj është në pronësi të Bashkisë së Tiranës. Ajo i ka kaluar në pronësi të bashkisë në vitin 28.8.2013 me anë të një VKM-je të miratuar nga vetë ish kryeministri Sali Berisha dhe marrë në dorëzim nga Lulzim Basha, aso kohe Kryetar Bashkie. Që prej atij viti ndërtesa, që është në pronësi të Bashkisë së Tiranës, përdoret nga kjo e fundit për të ofruar një sërë shërbimesh ndaj qytetarëve. Në këtë godinë, ndodhen zyrat e Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit (AMK), disa sektorë të burimeve njerëzore, si dhe disa zyra të drejtorisë juridike.
Në katin e tretë të saj ishin dhe zyrat e FRD-së, e cila duhet t’i lirojë ato edhe për një tjetër arsye, pasi kjo parti nuk ka më përfaqësim në Parlament. Ligji për partitë politike përcakton qartë se bashkitë duhet t’u sigurojnë seli vetëm partive politike që kanë deputetë në Kuvendin e Shqipërisë. Në këtë rast, FRD-ja jo vetëm nuk e plotëson këtë kusht por dhe kontrata e përdorimit I ka skadar prej 4 vitesh, prandaj duhet të lirojë zyrat në katin e tretë të godinës.