Ne mendojmë se Shqipëria ka nevojë urgjente për ndryshime në Kushtetutë, sepse na duhet një sistem zgjedhor që të garantojë, jo vetëm barazinë e votës dhe preferencën e zgjedhësit, por edhe korrektimin kombëtar të rezultatit, në rast se do të ruhet patjetër proporcionali rajonal. Sistemi politik shqiptar duhet të çlirohet nga kontrolli i dy partive të mëdha dhe nga avantazhi i frikshëm i qeverisë, sa herë shkohet për të votuar.
Duhet kufizim me ligj i pushtetit të kryeministrit si dhe të shihet mundësia për aplikimin e votimit të detyruar. Shqiptarët sot janë të shtrënguar më shumë se çdo popull tjetër në botën demokratike të votojnë vetëm një person, i cili pasi zgjidhet si kryeministër na bëhet njëkohësisht president, kryetar parlamenti, kryeprokuror, kryegjykatës, kryetar partie dhe diktues ndaj të gjitha pushteteve të tjera të pavarura.
Privilegjet kushtetuese për shefin e qeverisë duhet të hiqen, në mënyrë që, në rast se kryeministri rrëzohet me mocion, parlamenti të ketë mundësinë të krijojë një shumicë të re, siç e kanë pothuajse të gjitha vendet demokratike të botës.
(Fragment nga “Plani ynë për një Shqipëri normale”)
