Albi Xhunga: Media si shërbëtore e politikës

Më të fundit


‘’Si është e mundur që ne kemi kaq shumë informacion dhe në të njëjtën kohë dimë kaq pak gjëra ?’’ – Noam Chomsky

Lidhja okulte media-politikë është pjesë e një debati të vazhdueshëm në të gjithë Botën. Pushteti i katërt shpesh nuk e luan rolin e mediatorit mes opinionit publik dhe pushteteve të tjera, kryesisht atij ekzekutiv. Interferimi i interesave ekonomike të pronarëve të mediave bën shpesh që këto të fundit, në vend që të luajnë rolin e tyre denoncues, bëhen justifikuese të abuzimeve të politikës, manipulojnë opinionin publik dhe kamuflojnë konfliktin e pastër të interesit mes tyre dhe pushtetit.

Sipas gazetarit spanjoll, Ignacio Ramonet, ka edhe një pushtet të pestë dhe ky është opinioni publik. Por a ka mundësi ky pushtet i pestë, që me anë të formëzimit të asaj që quhet shoqëri civile, e cila është edhe zëri i tij real, të luajë rolin e tij si pushtet i pestë nëse ‘’bombardohet’’ çdo ditë me propagandë ?

Një nga problemet është se media, duke qenë në një pjesë të madhe biznes me humbje, i përket atyre që i kanë mundësitë ta subvencionojnë, oligarkëve. Për hir të së vërtetës duhet thënë se ky është fenomen botëror. Një studim tregoi se pothuaj totaliteti i mediave franceze iu përket grupeve të mëdha industriale. Nëse këtu do të shtojmë edhe mediat e manjatit Rupert Murdoch (mbi 160 në total), të cilat shtrihen që nga Australia, në Britaninë e Madhe, në Azi e në SHBA, atëherë kemi një panoramë më të qartë të funksionimit të tregut mediatik në Perëndim.

Ish pronari i Le Figaro, Serge Dassault, pasi bleu 100% të aksioneve të gazetës në vitin 2004, do të deklaronte se: ‘’Posedimi i një gazete lejon përhapjet e ideve të shëndetshme.’’ Kur drejtor i gazetës ishte Ettienne Mougeotte, ka pasur ankesa se Le Figaro ishte shumë afër me presidentin Nicolas Sarkozy. Më shkurt 2012, gazetarët firmosën një mocion që ‘’kujtonte’’ se rubrika e tyre e opinioneve nuk ishte buletini i një partie, një qeverie, apo një presidenti.

Perandoria mediatike e manjatit Rupert Murdoch përkrahu kandidatin për kryeministër të Britanisë së Madhe, Tony Blair dhe ai u bë kryeministër. Një nga çmimet që Blair pagoi për këtë përkrahje ishte premtimi për të mos adoptuar monedhën euro pa një referendum. Nëse Britania do të kishte adoptuar euron, brexit do të ishte bërë shumë i kopmlikuar. Rupert Murdoch dhe të gjitha mediat e tij në mbarë Botën ishin pro luftës në Irak dhe fabrikonin fakte të rreme pro luftës. Raportohet se gjatë kësaj periudhe kryeministri Blair takonte Murdoch me shpesh se ministrin e mbrojtjes, apo ministrin e jashtëm. Tony Blair do të bëhej dhe kumbari i Grace, njërës prej vajzave të manjatit Murdoch.
Perandoria e Murdoch përkrahu kandidatin David Cameron dhe ai fitoi zgjedhjet. David Cameron punësoi si drejtor komunikimi Andy Coulson, një nga ish kryeredaktorët e mediave të Murdoch. David Cameron e çoi Britaninë e Madhe në referendum për brexit. Në gjyqin gjigand ndaj mediave të Murdoch për praktika anti-ligjore Andy Coulson u dënua me 18 muaj burg.
Ndikimi i Murdoch në politikë përmes mediave të tij është një histori shumë e gjatë. Analistët thonë se pa përkrahjen e Fox News Donald Trump nuk do të ishte zgjedhur president më 2016. Alain Rusbridger, ish kryeredaktor i The Guardian, do të deklaronte gjatë një interviste se në katër dekadat e fundit, është e vështirë të gjesh një kryeministër britanik që arrin të rizgjidhet pa mbështetjen e Rupert Murdoch.

Shërbimi ndaj oligarkisë dhe ndaj politikës bëhet edhe më i theksuar në Shqipëri, ku media ofrohet totalisht gratis. Këtu lind edhe një problem tjetër alla shqiptar. Duke qenë se në perëndim mediat janë kryesisht me pagesë, ato gjithsesi kujdesen të mos e fyejnë inteligjencën e audiencës, pasi kështu rrezikojnë të humbasin abonentë dhe duke humbur abonentë humbasin para. Shoqëritë perëndimore janë të mirëarsimuara dhe manipulimi i shoqërive të mirëarsimuara është më i vështirë. Në Shqipëri funksionimi ndryshon kryekëput, pasi mediat ofrohen gratis dhe nuk e kanë këtë ndjeshmëri. Do të ishte logjike që edhe mediat shqiptare të kujdeseshin të mos humbnin audiencë, pasi ulja e audiencës ul impaktin që këto media kanë në opinionin publik dhe gjithashtu i bën më të dobëta në tregun e reklamave. Mirëpo nga ana tjetër ka faktorë balancues për financat e tyre, si reklamat që vijnë nga shteti, nga partitë dhe nga bashkitë, të cilat në më të shumtën e rasteve janë preferenciale e klienteliste, si dhe avantazhet që pronarët kanë nga pushteti në bizneset e tyre bazë. Madje së fundmi u shfaq edhe një fenomen i shëmtuar, ku gazetarët rimbursoheshin për ‘’shërbimet’’ e tyre, duke u bërë pjesë fiktive e administratës si këshilltarë apo specialistë. Të mos flasim pastaj për një debat publik mes dy gazetarëve të njohur, ku njëri prej tyre i thoshte tjetrit përmes një shkrimi gazete, se : ‘’Ne të dy e dimë se ekziston një grup gazetarësh që figurojnë në listë-pagesat e një partie politike.’’ (Flitej për LSI-në)

Megjithatë ka një shembull të qartë se si edhe në Shqipëri mediat e mëdha kanë humbur audiencë në mënyrë drastike. Nëse dy/tre televizionet e mëdha arrijnë njëfarësoj ta ruajnë hegjemoninë, kjo vjen kryesisht sepse ato, përveç informacionit, ofrojnë edhe shumë spektakle dhe në një treg televiziv të varfër kjo bën diferencën. Por nëse do të shohim faqet e tyre të internetit, të cilat ishin dikur pikë referimi për shoqërinë shqiptare brenda dhe jashtë kufijve, reklamoheshin fort dhe bënin pjesë ndër faqet më të klikuara në Ballkan, sot faqet e tyre janë shumë më poshtë se portalet që mbahen më këmbë me buxhet e personel modest, për që shpesh janë më pranë të vërtetës dhe më të drejtpërdrejtë në informacionet që japin. Disa nga këto portale, duke mos qenë pjesë e influencës së oligarkëve, trajtojnë tema të ndjeshme, të cilat nuk trajtohen nga mediat tradicionale për shkak të konfliktit të pastër të interesit.

Në rradhë të parë duhet ndarë përpjekja për ndikim të opinionit publik, nga përpjekja për ta manipuluar atë. Të përpiqesh të ndikosh opinionin publik në interes të ideve të caktuara politike të cilave ti u beson është fare normale dhe legjitime. Këtu nuk kemi të bëjmë me konflikt interesi.
Fenomeni i ndikimit të opinionit publik, në pamje të parë duket sikur është e njëjta gjë në të gjithë Botën. E megjithatë diferencat mund të jenë kolosale. Është tjetër gjë kur ndikon opinionin publik për të favorizuar një forcë politike të caktuar, sepse beson se nëse kjo forcë do të marrë pushtetin, do të ndërmarrë politika të caktuara që i volisin pronarit të medias në fjalë. Por është komplet tjetër gjë dhe nuk ka të krahasuar nëse në përkrahjen e një force politike, nuk kemi parasysh përfitimet që do të kenë pronarët nga politikat e saj, por do të presin shpërblimin për shërbimin e ofruar në një formë të pastër korruptive, si koncesione, leje ndërtimi, favorizim në reklama, etj. Kjo është kryesisht diferenca mes manipulimit mediatik në Përëndim dhe manipulimit mediatik në Shqipëri. Pronarët e mediave tona nuk presin të përfitojnë nga politika të caktuara të qeverive, por presin shpërblimin për shërbimet e tyre.

Media shqiptare pengohet në misionin e saj edhe nga fakti se, duke qenë një treg dhe shoqëri e vogël ku të gjithë i njohin të gjithë, bëhet e komplikuar goditja e interesave të X apo Y person për shak të njohjeve të ndërsjellta. Si në tregun tonë të vogël politik, ku shpesh dy kunetër apo dy kushërinj kandidojnë për forca të ndryshme politike, edhe në media fenomeni i njohjeve të përbashkëta dhe i frekuentimit të të njëjtave rrethe shoqërore frenon mirëfunksionimin e tyre.

Ka edhe një diferencë tjetër madhore mes funkionimit të mediave në Perëndim dhe funksionimit të tyre në Shqipëri, sistemi i drejtësisë dhe pavarësia e gjykatave. Kur në mediat perëndimore përdoret fjalor racist ndaj grupeve shoqërore, fushata denigruese ndaj personave të caktuar, apo praktika antiligjore për të marrë informacion, gjobat janë të kripura dhe dënimet të rënda. Shembulli më i qartë është gjyqi në Britaninë e Madhe ndaj mediave të manjatit Murdoch (mik i afërt i disa kryeministrave), çka e detyroi manjatin të mbyllte tabloidin gjigand që shiste mbi 3 milionë kopje e që punësonte mbi 200 gazetarë, The News of the World. Shqipërisë i duhet të presë akoma për të pasur garanci ligjore që media të mos abuzojë me pushtetin e saj.



Skip to toolbar