Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, kanë ndjekur fillimin e procesit të vaksinimit antiCOVID për operatorët turistikë në Durrës.
“Jemi koordinuar për të filluar sot me të gjithë punonjësit e operatorëve turistikë në vend. Nga sot janë rreth 2000 punonjës të operatorëve turistikë që fillojnë vaksinimin në këtë fazë të parë sepse në vijim do të shtohen. Vaksinimi ka filluar jo vetëm në Durrës, por edhe në Vlorë, Lezhë”, tha Manastirliu.
Kryeministri Edi Rama ju ka bërë thirrje të gjithë strukturave hoteliere të aplikojnë pranë Ministrisë së Turizmit, për tu futur në radhë për vaksinimin antiCOVID.
“Sot është e rëndësishme të informohen edhe tjerët, qeveria është gati të vaksinojë të gjithë personelin e strukturave hoteliere, duke filluar nga strukturat hoteliere të bregdetit, që janë ata që do të kenë edhe masën më të madhe te turistëve që do të presin, të cilët me këtë vaksinim më shumë për operatorët turistikë, japin një garanci më shumë për turistët, si hotele që janë COVID free, të lira nga COVID-i. Pastaj do vijojë edhe me të tjerët, por të gjithë të aplikojnë tek Ministria e Turizmit dhe të futen në radhë për të marrë vaksinën”, deklaroi kryeministri Edi Rama.
Manastirliu bëri me dije se në qendrën e vaksinimit në Durrës janë vaksinuar mbi 20 mijë qytetarë dhe ndërkohë që janë mbi 314 mijë vaksinime të kryera në gjithë vendin.