Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja gjatë konferencës për shtyp të mërkurën ku kërkoi që prokuroria të hetojë nxjerrjen e sekretit hetimor, tha ndër të tjera se ka edhe dosje me përgjime ku flitet për 200 mijë euro të kërkuara copë dhe për të cilën prokuroria e ka për detyrë të hetojë. Deputeti socialist nuk tregoi emra se për kë bëhet fjalë dhe kush është i përfshirë në këtë dosje.
Por kujtojmë se pak kohë më parë gazetari Artan Hoxha deklaroi se presidenti Meta ka kërkuar 200 mijë euro nga një biznesmen në fushatën e 2013.
“Ka pasur përgjime edhe me 200 mijë euro të kërkuara copë, të pazbardhura nga prokuroria. Shpresojmë që SPAK dhe BKH t’i zbardhë ato sa më shpejt”, tha ai.
Manja më tej i çoi një mesazh edhe kryedemokratit Lulzim Basha.
“Ka edhe dosje të tjera, 1 miliard USD lobime nga kryetari i saj. Është ora që prokuroria dhe agjensitë e zbatimit të ligjit të flasin me gjuhën e së vërtetës. Kushdo i përfshirë në vepra penale të marrë ndëshkim sipas ligjit. Të mos e mbarsin opinionin publik me gjëra të panevojshme”, shtoi ai.