Hyseni: Brenda 7 ditësh raporti për shkarkimin e Metës në Kuvend

Më të fundit


Është prezantuar sot në Komisionin Hetimor raporti përfundimtar mbi gjetjet e hetimit lidhur me presidentin Ilir Meta, që erdhi pas kërkesës së 49 deputetëve socialistë me qëllim shkarkimin e kreut të shtetit.

Kreu i Komisionit Hetimor Alket Hyseni deklaroi se raporti do të dërgohet brenda 7 ditësh në seancën e Kuvendit. Ai u shpreh se Komisioni Hetimor i ka dhënë përgjigje objektit të hetimit, duke theksuar se në radhë të parë është respektuar Kushtetuta.

Hyseni përsëriti edhe njëherë pretendimet se presidenti ka cenuar imazhin e vendit dhe raportet e Shqipërisë me partnerët. Ai deklaroi se gjatë fushatës elektorale presidenti nuk ka siguruar unitetin kombëtar, ndërsa mesazhet e tij kundër mazhorancës janë cilësuar si të paprecedenta.

Ndërsa përmendi marrjen e provave nga Komisioni Hetimor, Hyseni tha se u respektua ligji sa i takon informacionit të klasifikuar nga SHISH mbi kreun e shtetit.

“Presidenti nuk duhet të bëjë pjesë në asnjë parti politike, presidenti duhet të jetë uniteti por edhe duhet të shihet dhe perceptohet nga i gjithë populli si neutral.  Sjellja e Presidentit duhet të përcaktohet si rol ekuilibrues në jetën politikë të vendit dhe nuk përfshihet në lojën e përditshme politike. Kryetari i shtetit nuk duhet të mbështesë forca të caktuar apo t’i kundërvihet forcave të ndryshme politike. Presidenti bëri një fushatë kundër partisë në pushtet me të gjithë fuqinë institucionale të tij. Edhe ODIHR shkruan se Meta mban një marrëdhënie kritike dhe të ashpër ndaj qeverisë duke ndikuar drejtpërdrejtë në zgjedhje me tonet e tij konfrontuese edhe të nxehta. Në kapacitetin e tij ai bëri fushatë kundër partisë në pushtet“, tha Hyseni.



Skip to toolbar