Sot nis lehtësimi i masave, Manastirliu: Për një sezon turistik përtej pandemisë

AKTUALITET


Duke nisur nga dita e sotme në vend janë lehtësuar masat anti-Covid. Kështu, sipas vendimit të Komitetit të Ekspertëve, qytetarët nuk do të jenë më të detyruar të mbajnë maskë në ambientet e jashtme. Ndërsa ora policore tashmë do të fillojë në 23:00.

Në një postim në Facebook, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu thotë se lehtësimi gradual i masave bëhet në prag të sezonit turistik.

“Sot nis lehtësimi gradual i masave anticovid, për një sezon turistik përtej pandemisë”, shkruan Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në një postim në facebook.

Para disa ditësh Komiteti Teknik i Ekspertëve prezantoi planin e masave lehtësuese, pas përmirësimit të situatës epidemiologjike.

No photo description available.

Nga sot, 1 Qershor:

  • Hiqet detyrimi për mbajtjen e barrierës mbrojtëse në ambientet e jashtme. Do vijojë të mbetet detyrimi i mbajtjes së maskës në ambientet e mbyllura si dhe në mjetet e transportit publik. Rekomandohet mbajtja e maskës kudo ku nuk mund të ruhet distancimi social si edhe për ata që ende nuk kanë bërë dy dozat e vaksinës që konsiderohen persona në risk.
  • Ora policore shtyhet në orën 23:00 – 06:00.

Klubet e natës, diskot, vijojnë të mbeten të mbyllura. Muzika do të lejohet deri në orën 22:00.

Nga 15 Qershori:

  • Grumbullimet në ambientet e jashtme nga 10 persona bëhen 50 persona, duke respektuar rregullat e distancës sociale në zbatim të protokolleve të ISHP.

Nga 1 Korriku:

  • Ora policore shtyhet në orën 24.00 – 06:00.

Orari për muzikën nuk ndryshon, pra do mbetet ora 22:00.

  • Lejohen kampionatet sportive me prezence të tifozëve me kapacitete të reduktuara deri në 30% sipas protokollit të ISHP.
  • Lejohen aktivitetet e teatrove, shfaqjeve artistike dhe kulturore, konferencave, me kapacitet të reduktuar deri ne 30% të spektatoreve apo pjesëmarrësve, sipas protokolleve të IShP.


Skip to toolbar