Zbardhen detaje të tjera nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK që çuan në arrestimin e gjashtë personave, mes tyre drejtuesi i Prokurorisë së Sarandës, një oficer i policisë gjyqësore, zyrtar i klubit Përmeti dhe një arbitër ndeshjesh.
Nga hetimet, njofton SPAK, provat e grumbulluara krijuan dyshimin e arsyeshëm se jemi para veprave penale të korrupsionit pasiv të prokurorëve, sipas nenit 319/ç të Kodit Penal. Gjithashtu, nga hetimet u evidentuan të dhëna edhe në lidhje me një vepër penale tjetër siç është ajo e “Paracaktim i rezultateve në garat sportive”, parashikuar nga neni 197/a/2 i Kodit Penal.
Gjithashtu, me vendim gjykate, Policia Gjyqësore Pranë Policisë së Shtetit ka ushtruar kontrolle në disa banesa dhe zyra të subjekteve të hetuar dhe të tjerë.
KUSH JANE TE ARRESTUARIT
● Sali Hasa, prokuror në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal.
● Napolon Hodaj, Oficeri i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Sarandë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i dytë i Kodit Penal.
● Qerim Ruçi, arbitër i ndeshjeve të futbollit, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 197/a/2 dhe 25 të Kodit Penal.
● Bledar Hajredini, zyrtar i klubit sportiv SHS “Përmeti”, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 197/a/2 dhe 25 të Kodit Penal.
● Julian Zera, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1/1 – 25 i Kodit Penal.
● Emiljano Mirani, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1 – 25 i Kodit Penal.
Ndërkohë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejt dhe oficerët e SPAK ndodhen aktualisht në Prokurorinë e Sarandës, ku po bëjnë kontrolle pas arrestimit të prokurorit. Ky i fundit është vënë në pranga pas një hetimi nga SPAK, ku ka rezultuar se prokurori ishte i përfshirë në një rast korrupsioni. SPAK dhe FNSH po ushtrojnë kontrolle në zyrat e Prokurorisë së Sarandës, si dhe në banesa.