Agjencia kineze e spiunazhit fajësohet nga SHBA dhe të tjerë se përdor hakera

BOTA


Departamenti amerikan i Drejtësisë njoftoi të hënën se kishte ngritur akuza ndaj tre oficerëve kinezë të zbulimit dhe një hakeri kompjuterash, në lidhje me fushatën e paligjshme kibernetike për vjedhje të sekreteve tregtare dhe informacionit konfidencial nga dhjetëra kompani, universitete dhe entitete qeveritare në Shtetet e Bashkuara dhe në 11 vende të tjera, gjatë viteve 2011-2018.

Ndër materialet e vjedhura përfshihen informacione në lidhje me teknologjitë me rëndësi, “me përfitim të konsiderueshëm ekonomik për kompanitë dhe sektorët komercialë të Kinës”, tha departamenti, duke shtuar se hakerat vendosën në objektiv institutet kërkimore dhe universitetet për të vjedhur punën kërkimore për sëmundje infektive si Ebola, MERS dhe HIV/ AIDS.

Ashtu si virusi i afërm Ebola, virusi Marburg mund të shkaktojë gjakrrjedhje të brendshme masive, dështim të organeve, ethe, tronditje dhe demenca, dhe zakonisht vdekje. Tularemia është një sëmundje bakteriale potencialisht fatale që gjendet tek lepujt. Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thonë se njerëzit mund të ekspozohen nëpërmjet bioterrorizmit.

Prokurorët identifikuan tre oficerët e zbulimit: Ding Xiaoyang, Cheng Qingmin dhe Zhu Yunmin, duke thënë se ata shërbenin në Departamentin e Sigurimit të Shtetit Hainan (HSSD), një degë rajonale e Ministrisë së Sigurimit të Shtetit të Kinës. Hakeri kompjuterik u identifikua si Wu Shurong.

Në një aktakuzë të bërë të ditur të premten, prokurorët thonë se tre oficerët e zbulimit u koordinuan me stafin dhe profesorët në universitete të ndryshme kineze për të zhvilluar fushatën. Universitetet ndihmuan agjencinë kineze të zbulimit për të identifikuar dhe rekrutuar hakera dhe gjuhëtarë, thanë ata.

Për të fshehur rolin e qeverisë kineze në fushatën kibernetike, katër të pandehurit dhe operativët e tjerë të zbulimit kinez themeluan një kompani fasadë, Hainan Xiandun Technology Development Co, Ltd, thanë prokurorët. Kompania që nga ajo kohë është shpërbërë.

Përveç organizatave në Shtetet e Bashkuara, fushata e piraterisë sulmoi viktima në Austri, Kamboxhia, Kanada, Gjermani, Indonezi, Malajzi, Norvegji, Arabi Saudite, Afrikë e Jugut, Zvicër dhe në Mbretërinë e Bashkuar, thanë prokurorët.

Presidenti amerikan Joe Biden tha paraprakisht se do të marrë një raport të hollësishëm të martën në lidhje me rolin e agjencisë civile të zbulimit të Kinës në përdorimin e sulmeve kibernetike në dëm të bizneseve amerikane.

“Ata ende po përcaktojnë se çfarë ka ndodhur saktësisht. Hetimi nuk ka përfunduar”, tha presidenti të hënën në Shtëpinë e Bardhë në përgjigje të pyetjes së një gazetari.

Presidenti Biden i bëri komentet pasi Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera akuzuan publikisht Ministrinë kineze të Sigurimit të Shtetit për përdorimin e hakerave kriminalë të paguar për të kryer operacione kibernetike të pa sanksionuara globalisht, nga të cilat përfitojnë personalisht hakerat.

Sipas zyrtarëve amerikanë, aktivitetet përfshijnë operacione kibernetike kundër kompanive private që janë të detyruara të paguajnë miliona dollarë shpërblime për të rifituar qasjen tek të dhënat e tyre.

Shtetet e Bashkuara, së bashku me NATO-n, Bashkimin Evropian, Mbretërinë e Bashkuar, Japoninë, Kanadanë, Australinë dhe Zelandën e Re, fajësuan të hënën Kinën për sulmin kibernetik në mars që preku dhjetëra mijëra organizata përmes serverave të shërbimit Microsoft Exchange.

Sulmet kanë ndodhur në një periudhë kur dihet se sistemet e shërbimeve në internet kanë dobësi, por që nuk kanë mundur ta ndreqin problemin teknik.

“Qeveria amerikane ka ngritur shqetësimet e saj me zyrtarë të lartë të qeverisë kineze në lidhje me këtë incident dhe aktivitetin kibernetik të zgjeruar me qëllim keqdashës, duke e bërë të qartë se këto veprime kërcënojnë kompetencën e sigurisë dhe stabilitetin në hapësirën kibernetike”, u tha një zyrtari i lartë i administratës gazetarëve në një telefonatë të dielën në mbrëmje përpara se të dilte njoftimi.

Përdorimi i hakerave kriminalë me kontratë nga agjencia civile zbulimit kinez ishte “me të vërtetë tronditëse dhe befasuese për ne”, tha zyrtari.

Sipas zyrtarit të lartë amerikan është gjithashtu domethënëse që ministria e sigurimit të shtetit po përdor këta hakera për të “kryer operacione kibernetike të pa sanksionuara globalisht, përfshirë edhe për përfitime të tyre personale”.

Presidenti Biden u pyet të hënën pas një fjalimi mbi ekonominë, në lidhje me dallimin mes sulmeve kibernetike të kryera nga Rusia dhe ato nga Kina.

“Di të them se qeveria kineze, ashtu si edhe qeveria ruse, nuk po i bën vetë sulmet, por po mbron ata që i bëjnë adhe ndoshta edhe po iu mundëson ta bëjnë një gjë të tillë. Ky mund të jetë ndryshimi”, u përgjigj presidenti.

Administrata e Presidentit Joe Biden ka qenë e zëshme në lidhje me një seri sulmesh kibernetike për të cilat janë fajësuar grupe që veprojnë në Rusi, por nuk i ka lidhur ato aktivitete drejtpërdrejt me qeverinë ruse.

Në një takim me Presidentin rus Vladimir Putin në Gjenevë muajin e kaluar, Presidenti Biden kërcënoi të merrte masa kundër Moskës nëse kriminelët kibernetikë vazhdonin të vepronin brenda Rusisë pa pengesa.

Kina vazhdimisht e ka mohuar përfshirjen në aktivitete të tilla.

Lu Kang, një zëdhënës i ministrisë së jashtme, u pyet në mes të muajit mars në lidhje me akuzat e bëra nga katër firma private të sigurisë që po hetonin sulmet kibernetike. Firmat fajësuan një grup kërcënues të avancuar nga Kina për ndërhyrjet e sofistikuara të rrjetit.

Lu u përgjigj se nëse akuza të tilla bëheshin me prova të besueshme, atëherë Pekini do t’i merrte ato seriozisht, por nuk kishte kohë për t’iu përgjigjur “thashethemeve dhe spekulimeve”.

Detajet e lëshuara të hënën në mëngjes në Uashington dhe në kryeqytetet aleate shihen si një përpjekje për t’i dhënë qeverisë së Kinës provat që kërkoi.

Në mënyrë të veçantë, Agjencia e Sigurisë Kombëtare, Agjencia e Sigurisë së Infrastrukturës dhe Kibernetikës dhe Byroja Federale e Hetimit, në një paralajmërim të përbashkët të publikuar të hënën, thanë se ato “kanë vëzhguar veprimtari kibernetike gjithnjë e më të sofistikuar, të sponsorizuar nga shteti kinez që vënë në shënjestër organizata të politikës ekonomike, ushtarake, arsimore, dhe të personelit të infrastrukturës kritike”. “Është me të vërtetë një grup i madh i aleatëve dhe partnerëve që e mbajnë Kinën përgjegjëse,” tha zyrtari i lartë amerikan në thirrjen me gazetarët.



Skip to toolbar