Albi Xhunga: Koha e Lulëzim Bashës

Më të fundit


Ngjarjet e këtij fillim sezoni politik ngrenë shumë pyetje e akoma më shumë pikepyetje për sa i përket opozitarizmit në Shqipëri. .
A është e vërtetë përplasja Basha-Berisha? A do të prodhojë kjo një lidership real të Bashës në PD? A mund të paqtohet Basha me amerikanët dhe të amnistohet prej tyre?
A mund ta rimarrë Berisha PD-në? A mund ta përçajë nëse nuk e rimerr dot? A i intereson vërtet Berishes rimarrja e partisë apo çarja e saj nëse nuk e rimerr dot?


Atvrasje pati, por atë nuk e kreu Basha.

Në njoftimin për përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar i PD-së Lulëzim Basha u kujdes më shumë të ngrinte në piedestal vlerat e Berishës në parti, sesa të kryente një atvrasje reale duke denoncuar autokratizmin e liderit historik në drejtimin e gjatë të partisë prej tij, autokratizmin e tij si kryeministër, si president etj.
Lulëzim Basha nuk e vrau atin e tij politik për faktin e thjeshtë se kjo është jashtë mundësive të tij. Duke vrarë Sali Berishën Basha vret dhe të gjithë karrierën e tij politike. Duke denoncuar qeverisjen e Berishës Basha denoncon veten e tij si kreu i disa ministrive në drejtimin e të cilave i rëndojnë mbi shpinë jo pak akuza. Duke vrarë gjakftohtësisht Sali Berishën Bashës do t’i duhej të armiqësohej me të gjithë mbështetësit e doktorit në PD, të cilët nuk janë të paktë.
E megjithatë Basha edhe po e vret realisht atin politik, edhe po e merr realisht kontrollin e plotë të partisë, edhe po paqtohet me amerikanët, çka mund t’i ofrojë amnistim nga akuzat eventuale të SPAK ndaj tij (per sa kohë ky i fundit kontrollohet prej tyre).
Le t’i marrim me radhë.
Duke luajtur teatër me të gjithë Basha vetëm fiton.
Doktorit i thotë se është i detyruar që me zemër të thyer ta përjashtojë, pasi përndryshe amerikanët do t’i përjashtojnë të dy bashkë. Instikti i pagabueshëm politik i doktorit i thotë se është shumë më mirë ta përjashtojë benjamini i tij, i cili edhe kur sulmohet prej tij flet me dashamirësi, sesa ta djegë dhe Bashën dhe të rrezikojë që partia të bjerë në dorë të ndonjë idealisti apo të ndonjë kundërshtari real të tij, i cili do t’i jepte fund berishizmit në PD me bekimin amerikan.
Lulëzim Bashës i intereson te shkëputet nga doktori. Kjo është e vetmja varkë shpëtimi për të. Duke u mëvetësuar Basha merr realisht kontrollin e partisë, ka shanse të mira të amnistojë të shkuarën e tij duke paqtuar veten dhe PD-në me amerikanët dhe nëse kjo ndodh është pothuajse e sigurt se kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë do të quhet Lulëzim Basha.
Basha nuk mundet ta vrasë atin e tij politik haptazi, gjakftohtësisht dhe në mënyrë të zhurmshme. Kjo është jashtë fuqive të tij. Ama mund ta vrasë atë ngadalë, me ndihmën e amerikanëve, siç edhe po bën, me ndihmën eventuale te SPAK dhe ç’është më e

rëndësishmja me ndihmën e kohës. Koha punon kundër doktorit, mosha politike dhe biologjike e të cilit është në kohën e shkrimit të kujtimeve.
Doktori nuk ka çfarë i bën Bashës. I vetmi opsion për ta fundosur është të fundoset vetë bashkë me të. Por karakteri i tij e bën të paimagjinueshëm variantin e nje doktori pentito. Berisha i fortë është sot një bishë pa dhëmbë. Ai as mund ta rimarrë partinë e as ka interes ta marrë. Mund ta përçajë, por as kjo nuk i sjell ndonjë benefit domethënës. Ndaj doktori do të vazhdojë të bëjë atë që po bën. Të luajë rolin e liderit të fortë që lufton kundra të gjithëve; kundra Amerikës, kundra Ramës dhe kundra Bashës që e tradhtoi. Por doktori e di që këto janë beteja me mullinjtë e erës. E vetmja shpresë e vakët që ka është të japë përshtypjen e liderit të fortë që është ende faktor i rëndësishëm në Shqipëri. Por ai e di që koha nuk fal askënd dhe koha e tij ka mbaruar.
E panjohura e madhe e këtij ekuacioni është reagimi i atyre që po bëjnë shiun dhe diellin në Shqipëri, amerikanëve.
Zgjidhja e problemit të opozitës shqiptare prej tyre është me apo pa Lulëzim Bashën?
Nëse ata e ngrenë shumë lart stekën e moralit politik, atëherë mendja të thotë se zgjidhja është pa Bashën. Mirëpo në një Shqipëri me politikanë të korruptuar në çdo nivel është e vështirë që stekën e moralit ta ngresh aq lart. Opozitës shqiptare nuk mund t’i sjellësh me parashutë një lider nordik. Duhet të bësh me ata lojtarë që janë në skenë. Dhe në këtë këndvështrim Lulëzim Basha nuk është edhe aq i keq. Në asnjë akuzë që i është bërë liderit të opozitës nuk mund të përjashtohet ndikimi dhe përgjegjësia e Berishës. Në aferën e rrugës së kombit kryeministri quhet Sali Berisha dhe një kryeministër i papërfshirë e flak ministrin në oborrin e prokurorisë (siç bëri psh me Ylli Pangon). E njëjta gjë vlen edhe për çështjen e detit apo 21 janarin. Pra njëfarësoj Lulëzim Basha mund të shihet edhe si viktimë e shefit të ashpër.
Kur komentohet lideri i opozitës të gjithë bien dakord që është një politikan i modelit perëndimor, gjithmonë i edukuar, gjithmonë i qeshur, gjithmonë konform standardeve të kohës.
Pse amerikanët do t’i hynin një aventure të rrezikshme të zëvendësimit të lidershipit opozitar kur në skenë nuk duket të ketë aktorë të tjerë të qenësishëm?
Në një garë me kuaj të gjithë do të donin të vinin bast për pegasus, kalin fluturues. Mirëpo kur pegasus nuk merr pjesë në garë, të duhet të zgjedhësh më të mirin prej kuajve garues dhe Lulëzim Basha duket i duhuri.
Këtë variant e mbështet mesazhi i tyre direkt pas përjashtimit të Berishës prej grupit parlamentar demokrat. Nuk e shohin amerikanët se ajo ishte një gjoja atvrasje?
Por ata e dinë se Basha nuk mund të bënte më shumë. Madje dhe aq ishte shumë. Ndaj nuk vonuan të mbështesnin liderin e opozitës dhe të shprehnin gatishmërinë e tyre për një bashkëpunim më të ngushtë me të dhe me opozitën në tërësi.
Lordi Palmerson thoshte se Britania nuk ka miq ose armiq të përhershëm, ka vetëm interesa të përhershme.
Edi Rama nuk mund ta ketë luksin që të jetë përjetësisht interlokutori i tyre i vetëm në Shqipëri. Për të kontrolluar një vend duhen aleatë nga të dy krahët. Ata duan ta bëjnë Shqipërinë, por janë të detyruar ta bëjnë me ata aktorë që janë në skenë dhe Lulëzim Basha është njëri prej tyre.

Mëkatet opozitare të derisotshme mund t’i faturohen lehtësisht Sali Berishës. Rrufepritsja deri tani ishte Basha. Tani duket se rolet do të ndryshojnë.
Gjithsesi, për çdo devijim eventual të lidershipit të ri opozitar, dosjet aty janë. Në finale çdo çështje që shkon në gjykatë ka nevojë për interpretim. Mund të thuhet se ti ke qenë viktimë, siç mund të thuhet se edhe ti ke përgjegjësinë tënde. E vërteta nuk është kurrë absolute. Është gjithmonë çështje këndvështrimi.



Skip to toolbar