Minxhozi: Janë që të dy të humbur

Më të fundit


Sali Berisha filloi sot fushatën për të destabilizuar pushetin e Lulzim Bashës brenda Partisë Demokratike. Është një përplasje e çuditshme, nën një ultimatum amerikan dhe pas një tetëvjeçari kur të dy palët kanë pasur të gjithë kohën e kësaj bote për t’u konfliktuar, marrë vesh e prishur përsëri nga e para mes tyre.

Ish-kryeministri, “burri me mustaqe” i politikës shqiptare po na tregon këto orë se katër humbje të rënda elektorale, djegia e mandateve apo marrëveshjet humbëse pas perdeve me Edi Ramën, nuk kanë qenë asnjëra motiv i mjaftueshëm për të për të ngritur dorën mbi pasardhësin e tij, porse e vetmja gjë që Berisha nuk duroi dot ishte të prekej ai vetë. Me të drejtë instikti i vetëmbrojtjes dhe i mbijetesës është më i forti tek njeriu, por Sali Berisha e ka sot shumë të vështirë të bëjë betejë parimesh me Lulzim Bashën, kur s’ka folur publikisht për tetë vite për asnjë nga gafat, gabimet e humbjet politike të ish-nxënësit të tij të dikurshëm.

Tani që zjarri ju fut në oborrin e shtëpisë, Berisha s’po e merr fare në sy rrezikun e provokimit të një çarjeje të pashërueshme brenda partisë, me turin e tij të takimeve, por ka vënë në shënjestër hallin familjar që ka me Amerikën, duke e tërhequr pas vetes në gropë partinë edhe ashtu të cfilitur nga tetë vjet opozitë.

Nëse dikujt do t’i duhej një ditë një skenar vepre artistike me sfond të thellë e të pakthyeshëm pesizimi dhe disfatizimi, ky i PD do të shërbente në mënyrë perfekte. Një forcë politike që kreun e ri s’e sheh dot me sy sepse e ka dënuar me opozitë të përjetshme, duke u detyruar nga halli të thërrasë në skenë plakun e qoshes që sot në mënyrën më ironike dhe të dhimbshme paraqitet si një alternativë e re brenda PD!

Kriza mes Berishës dhe SHBA rezultoi pikërisht ashtu siç u projektua ditën e parë kur u bë publik qëndrimi i Departamentit të Shtetit: një krizë komplekse dhe e rëndë për nga pasojat, për një parti të madhe e historike si PD.

Gërvishtja që amerikanët i bënë smaltit të holluar që mbulonte marrëdhëniet mes Bashës e Berishës, po nxjerr në pah një urrejtje të heshtur e të thellë mes dy burrash që dikur kujtoheshin si të bashkuar e në harmoni të plotë mes tyre. Nxënësi ka ngritur dorën, pasi s’mund të bënte gjë tjetër, e tani shefi i tij i vjetër po bëhet gati të marrë hak. Duke kërkuar edhe ndjesë publike pse e la pas vetes në vitin 2013!

Konflikti Basha-Berisha dëshmon se tetë vjet më parë PD kreu një gjoja-rotacion, i cili, si të gjitha gjërat false, e dha goditjen me tetë vjet vonesë. Nën hijen e firmanit të firmosur nga sekretari Blinken, Lulzim Basha po përpiqet sot të bëhet kryetari që nuk qe kurrë i partisë së tij. Me tetë vjet vonesë dhe duke vrarë politikisht babain e mentorin e tij.

Është e paqartë sesa dëm do t’i bëjë Bashës nga brenda partisë turi i Berishës. E sigurt është se kjo klimë pezullie dhe ndasish e fjalori të skajshëm, është gjëja që më pak i duhej opozitës së sapodalë nga tuneli i 25 prillit. Sa më shumë që Berisha do të insistojë të provokojë forumet, të tundë statutin e partisë nëpër studio mediatike e podiume, apo të thërrasë “nën armë” gardën e tij të vjetër të militantëve, aq më e kripur do të jetë fatura që vetë partia do të paguajë në fund. Sepse në këtë përplasje kalorësish të lodhur (njëri nga mosha, e tjetri nga konsumi e humbjet) është kaq e vështirë të gjesh dhe identifikosh një fitues e një humbës. Pavarësisht se cili nga të dy do të tundë në fund flamurin e rreckosur të fitores, janë, qysh në krye të udhës, që të dy të humbur. Edhe Lulzim Basha, edhe Sali Berisha. I pari ka kundër aritmetikën, i dyti historinë…



Skip to toolbar