Veliaj: E kisha parashikuar që Saliu do e mbyllë me turp. PD Shqipëria do jetë më mirë me largimin e berishizmit

Më të fundit


Duke komentuar shpalljen “non grata” të Sali Berishës nga SHBA-të dhe përjashtimin edhe nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka deklaruar se ky ishte fundi i pritshëm për të.

“Këtu kam qenë muaj përpara kur ju kam thënë që ai njeri do ta mbyllë me turp, sepse është parim biblik, kuranor: “kush jeton nga shpata, vdes nga shpata”. Pra, po jetove duke shpifur dhe duke u bërë gropën njerëzve, eventualisht do biesh vetë brenda. Është e pashmangshme, është natyra njerëzore, cikli jetës, është historia që na ka mësuar. Siç thashë edhe atëherë, që ai njeri do ta mbyllë me turp, me turp e mbylli,” u shpreh Veliaj i ftuar në emision “Real Story” të gazetarit Sokol Balla në “News 24”.

Ndërsa, sa i takon “foltoreve” dhe përpjekjeve të Berishës për tu ridimensionuar në Partinë Demokratike, Veliaj tha se askush nuk beson më se ai mund të bëjë pjesë tek e ardhmja e kësaj force politike.

“Në politikë, si në të gjitha profesionet, biologjia bën të vetën. As ithtarët më të mëdhenj nuk thonë më: “besojmë te Saliu se ai është e ardhmja”. Ai vetëm e ardhmja nuk është, qoftë edhe fizike. Kështu që, unë them që ai nuk ka as kohë të rehabilitohet dhe sigurisht nuk jam këtu të bëj llogaritë e tyre, kur vjen puna te kundërshtarët them se vetë e gatuan këtë lloj kulture, vetë e futën kulturën e shpifjes, të lajmit të rremë, të sajesave, të historive të paqena, të prodhimit të histerive kolektive, do me thënë janë po ata Nishani, me Saliun, me Lulin,” tha Veliaj.

Nga ana tjetër ai deklaroi se fundi i Saliut do jetë dhe fillimi i fundit të “berishizmit”, duke nënkuptuar bashkë me të edhe sjelljen e kryetarit aktual të PD, Lulzim Basha.

“Unë besoj që me fundin e Saliut është dhe fillimi i fundit të kësaj kulture toksike, ku dhe dy shqiptarë të thjeshtë në kafe shthurin fjalorin për gjëra krejt banale, siç mund të jetë edhe një vend parkimi, sepse e gjithë kjo vjen nga politika. Jo vetëm PD, por Shqipëria do jetë më e mirë me largimin e Berishës dhe berishizmit. Ajo që pashë në Parlament, me Lulin që gris fletët e votimit, thashë ka ikur Saliu, por nuk ka ikur berishizmi. Ai po mundohet të bëjë Saliun e vogël. Po ta kuptojnë se njerëzit janë lodhur nga këto muhabete, nga kjo frymë përçarëse, nga këto toksina dhe helme ndoshta dhe ata do kenë një shans për të fituar,” tha Veliaj.



Skip to toolbar