Erion Veliaj ka deklaruar se nëse Partia Socialiste do t’i japë besimin, ai do të garojë për një mandat të tretë në krye të Bashkisë së Tiranës. Gjatë bisedës në studion e “Real Story” me Sokol Ballën, Veliaj shtoi se ka filluar që tani të mendojë për sfidat e një mandati të ri. “Nëse Partia Socialiste ma jep besimin dhe tashmë kam filluar të mendoj se çfarë mund të jenë gjërat që mund të bëjmë në një mandat të tretë, do ta bëja me shumë pasion dhe me shumë kënaqësi, si këto dy mandate,” u shpreh ai.
I pyetur për marrëdhënien me Kryeministrin Rama, Veliaj u shpreh: “Nuk e di a kanë dy njerëz në politikë një raport më special seç kam unë me Edi Ramën. Herën e fundit kam thënë që jemi si “mish e thua”, por në këto zgjedhje u afruam edhe më shumë sepse kishim kontakt edhe më të shpeshtë për shumë vendime që duhet të merrnim. Strategjia na funksionoi. Ne shkuam nga 200 mijë në 227 mijë vota në Tiranë. Pra jemi rritur 13% mbi peshën tonë,” u shpreh ai.
“Nëse shpresa e tyre e fundit është që unë dhe Edi Rama të kemi një konflikt që të kthehet epoka e gjumit në Tiranë, janë të pashpresë,” tha Veliaj, teksa shtoi se i vetmi merak i tij është që qyteti të vijojë transformimin. “Ajo që unë kam merak është që Tirana të zgjidhë historinë e shkollave; që Tirana ta përfundojë komplet këtë unazën e pestë; dua patjetër të mbarojë Kampusi tek Universiteti Bujqësor; dua që të mbarojë Kopshti Zoologjik, patjetër edhe Piramida; dua ta shijoj Tiranën si një Kryeqytet Europian i Rinisë vitin tjetër. Unë me Edi Ramën jemi bashkudhëtarë. Në 16 vjet nuk mbaj mend të ketë një ditë të mos kemi komunikuar. Bëhet fjalë për një raport shumë solid të dy bashkudhëtarëve. Unë them që Tirana ka pasur qar nga fakti që Kryeministri dhe kryetari Bashkisë ka këtë raport special,” u shpreh kryetari Veliaj.