Bashkia e Tiranës brenda muajit shtator do të hipotekojë “Sarajet”, për t’i hapur rrugë muzeut etnografik në shtëpinë e cila vetëm pak kohë më parë u përfshi nga flakët për të penguar këtë projekt. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, gjatë intervistës në “Real Story” me Sokol Ballën ka zbuluar për publikun detaje të projektit.
“Tek “Sarajet” nuk do jetë ekskluzivisht muze vetëm për etnografinë. Te “Sarajet” ne kemi një diskutim edhe me ambasadoren amerikane, duke qenë se ajo ka qenë Ambasada e parë e Shteteve të Bashkuara për 5 vite, ajo që quhej Legata e SHBA-ve, pra do jetë dhe një shtëpi e Amerikës në zemër të Tiranës. Ajo që do konceptojmë me kuratorët do të jetë një hapësirë e dyfishtë, pra një hapësirë për marrëdhëniet Shqipëri – Amerikë, meqenëse kemi pasur edhe përvjetorin, por edhe një hapësirë tjetër që evokon ethosin edhe folkun e qytetit tonë,” u shpreh Veliaj.\
Kryebashkiaku tha se brenda këtij muaji Qeveria firmos aktin e shpronësimit, ndërsa sa i përket restaurimit theksoi se do hapet një garë e posacme për kuratorë profesionistë.
“Ajo që unë pres është që ne brenda këtij muaji të marrim shpronësimin, formalisht ka ndodhur, por duhet edhe akti i VKM-së me të cilin Bashkia e Tiranës e regjistron me Hipotekë dhe s’ka më interes nga asnjë pronarë ta djegë, se s’është më pronë e tyre, është pronë e Bashkisë, pra ikën elementi i lakmisë edhe i babëzisë në këtë proces, pastaj do hapim një garë për kuratorë dhe për restaurimin, – jo çdo kompani që merret me llaç e tulla mund të restaurojë një ndërtesë të vjetër – dhe sigurisht do të kemi edhe një arkitekt për pjesën muzeale,” shpjegoi Veliaj.