Lubonja: Luftë Berishës për të fuqizuar berishizmin

Më të fundit


Lulzim Basha dhe mbështetësit e tij, pasi kanë shpalosur një çarçaf me meritat e mëdha të kapitenit “historik” të anijes PD, shtojnë në fund se ai duhet hedhur nga anija pasi lundrimi drejt pushtetit nuk mund të vazhdojë kështu, pasi me Berishën në anije na bombardojnë amerikanët. “Nec plus ultra”, mos shko më tej, duket sikur i thonë ata mendimit të tyre. E kërkojnë amerikanët dhe pikë! Por a është vallë kështu? Absolutisht jo. Në këtë vendim të Lulzim Bashës ka që ç’ke me të një mendim kalkulues – fatkeqësisht të gabuar – që karakterizohet nga një hipokrizi alla shqiptarçe e katërfishtë: ndaj amerikanëve, ndaj Berishës, ndaj shqiptarëve dhe ndaj vetes. Pse e them këtë? Pasi as ai dhe as mbështetësit e tij, duke menduar me dinakëri, s’kanë ndaluar asnjë çast tek argumenti që kanë dhënë amerikanët për të kërkuar largimin e Berishës nga Grupi Parlamentar i PD-së: “korrupsion i nivelit të lartë” që “ve në rrezik interesat amerikane”, – që do të thotë automatikisht edhe ato shqiptare. Madje, tashmë argumenti amerikan i korrupsionit sikur është harruar edhe nga vetë amerikanët duke mbetur debati te vlerësimi i personit Berisha, aq sa Lulzim Basha ka bërë disa aludime, sipas të cilave informacione që i di vetëm ai, të bëjnë të mendosh se amerikanët kanë për Berishën prova shumë më të rënda sesa korrupsioni. Në këtë pikë vlen të shtrohet pyetja nëse vërtet korrupsioni përbën një shqetësim të vërtetë të opozitës shqiptare dhe të amerikanëve, apo është një pretekst për luftë politike – siç ka qenë këta tridhjetë vjet në Shqipëri?

* * *

Që në PD, me në krye Berishën, Bashën etj., nuk ka pasur e nuk ka impenjim të vërtetë në luftën kundër korrupsionit, kjo është provuar me kohë. Një nga karakteristikat kryesore të berishizmit (përveç shumë të tjerave, ku hyn edhe hipokrizia e shumëfishtë që po manifestojnë trashëgimtarët e tij) ka qenë pikërisht përdorimi i korrupsionit të kundërshtarit për të bërë korrupsion vetë. Nuk ka person që e kupton më mirë këtë që sot po i bie mbi shpinë, sesa dora vetë Sali Berisha, sepse është ai që e inauguroi përdorimin e korrupsionit për korrupsion në vitet ‘90 me arrestimin (edhe me mbështetjen amerikane) të liderit të opozitës Fatos Nanos me qëllim dobësimin e opozitës. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se ky moment shënon një pikë kulminante të berishizmit, si forma më e egër e luftës për eliminimin e kundërshtarit që kemi njohur. Në periudhën e mëvonshme 1997 – 2013, ky mjet lufte mbeti në nivele retorike, pa arritur të bëhet agresiv deri në arrestime dhe konfiskime pronash të kundërshtarëve. Por me Ramën në pushtet, me kapjen e drejtësisë nëpërmjet së ashtuquajturës Reformë në Drejtësi, po arrijmë me shpejtësi në nivelet e berishizmit të fillimviteve ‘90, edhe pse në një trajtë më të sofistikuar dhe shumë më të vështirë për t’u luftuar. Dhe një nga vështirësitë është kontributi agresiv amerikan në këtë demagogji.

* * *

Po të lexosh analizat e përvojës së dështimit amerikan në Afganistan, siç është p.sh. shkrimi i “The Economist”, “Pse amerikanët vazhdojnë të ndërtojnë shtete klientelare të korruptuara?”, do të shohin se në vend që të çmontojnë sistemin e lidhjeve klientelare të korrupsionit, amerikanët i kanë paguar të pushtetshmit e korruptuar atje, për hir të paqes e stabilitetit. Edhe atje amerikanët kanë ndihmuar në ngritjen e një institucioni që duhet të luftonte korrupsionin, por që në fakt u dobësua shpejt nga afganët e amerikanëve. Edhe atje, kur Karzai i fitoi për herë të dytë zgjedhjet me manipulim, gëzoi mbështetje amerikane. Si përfundim, doli se kishin ndërtuar një shtet fasadë “të ngjashëm me fshatin Potemkin”, që u shkërmoq sapo ata vendosën të ikin.

Pyetja në rastin tonë shtrohet nëse amerikanët – ose ai grup lobistësh amerikanë që po përdorin etjen e papërballueshme për protagonizëm të ambasadores Kim – janë të paaftë të mësojnë nga dështimet e tyre apo e përdorin edhe ata korrupsionin me të njëjtën metodë. Të vjen vetvetiu kjo pyetje duke parë se argumenti amerikan se Berisha po ndëshkohet pasi, nëpërmjet korrupsionit, ka vënë në rrezik interesat strategjike amerikanë çalon me të dyja këmbët: si mjet dhe si rezultat. Çalon si mjet sepse, sikurse do të thoshte edhe vetë Rama i fushatës elektorale të 2013-tës, Berisha nuk ka bërë korrupsion vetë, por në sajë të ngritjes së një sistemi korruptiv, ku biznesi shqiptar, ndryshe oligarkët shqiptarë, nuk funksionojnë sipas rregullave të tregut të lirë, por si klientë të partive në pushtet – çka dora-dorës i ka shndërruar ose në kapës të shtetit duke i bërë deri deputetë e ministra, ose në të kapur prej shtetit. Ky është thelbi i berishizmit për sa i përket korrupsionit. Dhe problemi është se ky berishizëm gjatë tetë vjetëve të Ramës është fuqizuar dhe sofistikuar në nivele shumë më të larta, sepse oligarkët që akuzoheshin nga Rama për korrupsion me Berishën, sot punojnë të gjithë me Ramën, sipas të njëjtit sistem; sepse shumica e mediave të këtyre oligarkëve (apo të sponsorizuara prej tyre), deri edhe gazetarë që i kanë shërbyer berishizmit më të egër të viteve ‘90, sot i shërbejnë Ramës me të njëjtin stil. Dhe, po t’u shtosh këtyre faktin se gjatë qeverisjes Rama, krimi i organizuar ka njohur një hop cilësor vijon nga faqja 1 drejt kapjes së jetës politiko-ekonomike shqiptare, nuk mund të mos vijmë në konkluzionin e Ramës së viteve 2013 se në Shqipëri edhe një gjerman, po të vijë do të korruptohet. Në këto kushte, çështja shtrohet: çfarë ndodh në një vend ku zor të gjesh “gjerman”, të cilit, për shkak të sistemit, të mos mund t’i ngresh dot një akuzë për korrupsion dhe ku pushtetarët nuk punojnë për çlirimin e “gjermanit” nga ky sistem, por për sundim dhe përfitim korruptiv nëpërmjet kapjes së tij? Përgjigjja është ajo që po ndodh sot me “gjermanin” Berisha: “gjermanin” e shantazhon, deri dhe e fut në burg po të doli kundër, për t’i hapur rrugë një abuzimi të pakontrolluar me pushtetin. Sulmi ndaj Berishës është bërë me këtë metodë që inauguroi Berisha në 1993.

* * *

I kthehemi edhe një herë pyetjes: a janë kaq miopë amerikanët sa Rama ka arritur t’i manipulojë apo po e përdorin edhe ata luftën ndaj korrupsionit si instrument për të mbështetur autokratin për interesat e tyre? Sa më shumë kalon koha, aq më shumë po provohet se kemi të bëjmë me një përdorim të ndërsjellë. Për sa i përket Ramës manipulator, vlen të kujtojmë se përdorimin e luftës ndaj korrupsionit për të eliminuar kundërshtarët, duke përdorur ndërkombëtarët, e ka zanat të vjetër. Kujtoni “Mjaft” të Erjon Velisë, sesi lindi me mbështetje financiare ndërkombëtare ambasadash dhe fondacionesh si ai Soros, kundër ish-komunistëve të korruptuar Nano-Berisha, por që i mbajti sytë mbyllur ndaj supermekanizmit korruptiv me oligarkë ndërtues dhe pronarë mediash që kishte ngritur Rama në Bashkinë e Tiranës – aq sa i doli shprehja “një pallat, një votë”. Se kush qëndronte prapa “Mjaft”-it, sot e kanë të gjithë të qartë. Edhe rezultatin po ashtu e kemi, po e shohim nëpërmjet masakrës që po i bën krimi i organizuar qytetit të Tiranës. Eliminimi i dyshes Berisha – Meta me dorën ndërkombëtare është stratagjemë së njëjtës mendje ku, paradoksalisht, vendin e Erjon Velisë sikur po kërkojnë t’ia ngarkojnë Lulzim Bashës. Për sa u përket amerikanëve, nuk gjykoj se kanë rënë pre e manipulimit të Ramës nga naiviteti. Sepse duke parë veprimet e tyre, nuk mund të mos shtrosh disa pyetje parimore: nëse Shqipëria qenka vend kaq i pasigurt për interesat amerikane, saqë një ish-President, ish-Kryeministër shpallet armik i Amerikës, si ka mundësi që e trajtojnë këtë vend kaq të brishtë si vend të sigurt ku mund të depozitojnë armët kimike siriane për t’i çmontuar, ta bëjnë vendstrehimin e muxhahedinëve opozitarë të regjimit iranian apo të sjellin edhe afganët, ndërkohë që vende të tjera të NATO-s, shumë të konsoliduara e të fuqishme, hezitojnë për shkaqe sigurie të vendeve të tyre? Poende, nëse vërtet kanë hallin e popullit shqiptar që, për shkak të korrupsionit, po ikën masivisht në emigracion, aq sa në 10 vjetët e fundit 60000 fëmijë në moshën e adoleshencës janë braktisur qëllimisht nga prindërit nëpër Europë pasi nuk shohin të ardhme për ta në Shqipëri, si ka mundësi që nuk reagojnë fare ndaj korrupsionit të Ramës. Poende, si nuk reagojnë as ndaj Lulzim Bashës dhe mbështetësve e tij kur i shohin të vazhdojnë ta ngrenë në qiell trashëgiminë e Berishës në vend se të përqafojnë seriozisht argumentin amerikan të korrupsionit? Madje, po t’i besojmë së dhënës që qarkullon nëpër media se kanë përdorur si presion ndaj Bashës kërcënimin se përndryshe do ta shpallnin edhe atë “non grata”, a nuk na çon edhe kjo, së bashku me çka rreshtova më sipër, në idenë se ata nuk kanë hallin e liderëve të korruptuar, por se si t’i përdorin liderët e korruptuar për qëllimet e tyre?

* * *

Megjithatë, tek e fundit, përtej qëllimeve e mjeteve, që mbeten të diskutueshme, rezultati është se amerikanët – gjithmonë në kuptimin e grupit të lobistëve amerikanë që po përdorin etjen e papërballueshme për protagonizëm të ambasadores Kim – po kontribuojnë në fuqizimin dhe sofistikimin e berishizmit si në partinë në pushtet, edhe në partinë më të madhe opozitare, të cilën e kanë çuar në pikën më të dobët historike për sa i përket forcës dhe kredibilitetit. Me këto praktika, dështimi i tyre në Shqipëri është i garantuar. Madje, mund të them se tashmë ai është një realitet që nuk duan ta shohin sepse “talebanët” e kanë marrë tashmë pushtetin në Shqipëri, – kam parasysh me këta krimin e organizuar në pastrimin e parasë. Prokurori i mirënjohur italian, Gratteri, autor midis të tjerash i librit “Si Ndrageta u bë klasë drejtuese” në një intervistë të dhënë kohët e fundit, thotë: “nëse askush (në Perëndim) nuk i kundërvihet mafies shqiptare në Shqipëri, këta do të bëhen shumë të fuqishëm shumë të pasur sepse kanë mbrojtje në të gjitha nivelet dhe do të shpërhapen e të hyjnë në Evropë…”. Problemi amerikan është se ata po i trajtojnë talebanët tanë si “our son of the bitch” (birin tonë të kurvës) dhe siç e ka provuar historia, ka shumë rrezik të veprojnë kështu deri kur këta t’u bien ndesh interesave të tyre. Do të doja ta mbyllja këtë shkrim duke shtuar: prandaj është detyre e shqiptarëve të përveshin mëngët nëse nuk duan të jetojnë nën sundimin e “talebanëve” të tyre, por duke i parë shqiptarët kaq të nënshtruar dhe kaq të tradhtuar, po e mbyll duke uruar të ndodhë ndonjë mrekulli që t’i shpëtojë./panorama



Skip to toolbar