Baze: “Qytetari i ri digital” i Berishës, kundër Bashës

Më të fundit


Sali Berisha po udhëheq një fushatë bazuar mbi gënjeshtra dhe të pavërteta, por që tanimë nuk drejtohen më kundër Qeverisë, por kundër Lulzim Bashës dhe mbështetësve të tij amerikanë.

Deri më sot Sali Berisha po përpiqet t’i mbajë në rresht fanatikët e tij, duke thënë se SHBA nuk ka prova ndaj akuzave ndaj tij. Nën presionin e një deklarate të Lulzim Bashës, i cili u tha anëtarëve të Kryesisë, se SHBA i ka thënë gjëra të rënda për Berishën, që “ju nuk do t’i merrni vesh kurrë”, Berisha u detyrua të pranojë se ndaj tij ka dosje, por janë me gjëra të pavërteta dhe shpifje.

Disa minuta pasi tha këtë, ai akuzoi Departamentin Amerikan të Shtetit se ka emëruar Donald Lu si ambasador në Kirkizistan, kundrejt një lobimi me dhjetë milionë euro. Deklarata është edhe më e rëndë, kur dihet që javën që shkoi Donald Lu u emërua nënsekretar Shteti në Departamentin e Shtetit.

Pra Berisha praktikisht ka akuzuar SHBA si një vend i korruptuar, që avancon diplomatët në karrierë kundrejt ryshfeteve prej miliona euro.

Natyrisht që nuk pritet që Berisha të dëshmojë me ndonjë fakt për këtë. “Qytetari digital” i cili për vite të tëra u muarr me Edi Ramën, tani po merret me Departamentin e Shtetit.

Por është e çuditshme se si një parti, e cila e pranon me lehtësi çdo gënjeshtër të Sali Berishës për t’u mbrojtur nga një akuzë amerikane, duke kërkuar prova, të pranojë me lehtësi një akuzë kundër SHBA, pa asnjë mundësi për provë, e jo më provë reale.

Pra të njëjtit njerëz që Sali Berisha i mashtron, duke u thënë se për mua SHBA nuk ka prova, pranojnë të dëgjojnë një gënjeshtër të rëndë, që në fakt buron nga urrejtja për SHBA, që Departamenti Amerikan i Shtetit “merr 10 milionë euro për emërimin e një ambasadori”.

Pra i njëjti njeri që kërkon prova për dosjet e tij, me të cilat është njohur dhe Lulzim Basha, nuk bën kujdes të ketë ndonjë provë kur hedh akuza të rënda ndaj administratës së lartë amerikane, si e korruptuar.

Akuza të tilla SHBA nuk ia kanë bërë as vende armike të saj, dhe as liderë që ajo i ka në kërkim ndërkombëtar. Sali Berisha mund të jetë politikani i parë në botë që formulon një akuzë kaq të rëndë ndaj administratës së lartë të SHBA, siç është Departamenti Amerikan i Shtetit.

Kjo nuk ishte gënjeshtra e vetme në takimin e Fierit. Të gjithë gjërat që ai tha aty ishin gënjeshtra, por kjo ishte gënjeshtër e rëndë, pasi buronte nga urrejtja për SHBA, pas vendimit që mori për të familjarisht.

E njëjta urrejtje vërehej dhe në gënjeshtrat që shpikte për Artur Metanin apo Ardian Dvoranin, si dy personalitete të drejtësisë të mbështetur nga SHBA, në reformën për drejtësi. Gënjeshtra ndaj Artur Metanit, është e provueshme, pasi është dhe e regjistruar, që është krejt e kundërta.

Në cilësinë e Komisionerit të Lartë të Drejtësisë, ai ka takuar nje qytetar, i cili i është ankuar për një gjyqtar të Gjykatës të Kavajës, që ka dhënë një vendim, sipas tij korruptiv, kundër një prone të tij në Golem.

Dhe kjo është detyre funksionale e Artur Metanit, që të mbledhë ankesat ndaj gjyqtarëve që dyshohet se nuk kanë dhënë drejtësi. Për Dvoranin nuk ia vlen të flasim, pasi djali i Sali Berishë i ka marr jetën vëllait të Dvoranit në Gërdec, dhe frika se familjari me të cilin “është në gjak” mund të ketë në dorë fatin e tij, e destabilizon.

Më e pështirë ishte gënjeshtra që tregoi se si Berisha në vitin 1991, kishte anuluar shkarkimin e Azem Hajdarit nga kryetar partie, për shkelje procedure. E vetmja gjë që nuk tregoi ishte rezultati i votimit.

E vërteta është se në shkurt të vitit 1991, Kryesia e përkohëshme e PD, në një mbledhje të saj, vendosi shkarkimin e Azem Hajdarit si kryetar i Grupit nismëtar të PD, dhe me vota zgjodhi në vend të tij Aleksandër Meksin.

E vërtetë është se Berisha u tërbua dhe me ndërhyrje thuajse brutale, anuloi vendimin dhe e përsëriti atë, duke u zgjedhur vetë në vend të Aleksndër Meksit. Nuk e kuptoj se ku e ndihmoi Azemin, pasi ai thjesht anuloi një votim për të shkarkuar Aleksandër Meksin dhe jo Azemin.

Por meqë ajo është parti pa memorie, e ka të lehtë të flasë gënjeshtra, duke ilustruar gjërat më antidemokratike që ka bërë në PD, si zhvillime demokratike.

Nuk është se Berisha po gënjen për herë të parë dhe jemi të shqetësuar. Por ai po gënjen për herë të parë kaq shumë për një betejë brenda PD. Kjo është e dhimbshme për të. Atij nuk i ka ngelur asgjë e vërtetë me të cilën mund të prishë mendjen e fantikëve brenda PD dhe i duhet të gënjejë për çdo gjë.

E kuptoj kur duhet të gënjejë për të sulmuar Qeverinë shqiptare, e kuptoj dhe kur do të gënjejë kur ka probleme me Qeverinë amerikane, por të gënjesh për të mundur Lulzim Bashën, do të thotë të degradosh betejën ende pa e nisur.

Është historia e re e “qyetarit digital”, i cili tanimë nuk ka më objekt Qeverinë, por vetëm Lulzim Bashën, çka i jep të drejtë lulzim Bashës të akuzoj se “regjimi Rama – Berisha – Doshi” nuk do kenë të ardhme në Shqipëri.



Skip to toolbar