Kajsiu: Ja pse ka debat në PD. Lubonja: Duhej një analizë e thellë për korrupsionin para se të largonin Berishën

Më të fundit


Analisti Blendi Kajsiu tha në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, se debati i nisur në Partinë Demokratike pas largimit të Sali Berishës nga grupi parlamentar nuk zgjidhet duke thënë ‘Kështu e do Amerika”.

Sipas tij, sot ka debat në selinë blu jo se Berisha nuk pranon vendimin për largimin e tij nga grupi, por se nuk pranon kryetarin.

Nga ana tjetër, analisti Fatos Lubonja tha se ndaj Berishës nuk ka një akuzë të qartë, ndaj dhe sipas tij, PD duhet të bënte një analizë shumë të thellë mbi përgjegjësitë që ka ai për korrupsionin, para se ta merrte këtë vendim.

Pjesë nga diskutimet:
Blendi Kajsiu: Kjo çështje nuk zgjidhet thjesht duke thënë “Kështu e do Amerika”. Në rastin konkret, nuk mund t’i faturohet një vendim kaq i rëndësishëm SHBA. Nuk është politike kjo, është tamam skuthllik. Çështja këtu nuk është pse Basha vendosi të mos e fusë në grup Berishën. Edhe Berisha mund ta kishte pranuar shumë thjesht këtë vendim. Kjo mund të ishte kaluar shumë në heshtje. Pse kemi debat? Debat kemi, sepse Berisha nuk pranon jo këtë vendim, por nuk pranon kryetarin. PD duhet të zgjidhë nëse do të ketë parti pa Berishën apo jo.

Fatos Lubonja: Thelbi është për të luftuar korrupsionin në Shqipëri. Në heqjen e Berishës, pa ndaluar fare te korrupsioni, madje është harruar fare korrupsioni, PD në fakt duhet t’i bënte një analizë shumë të thellë vetvetes për përgjegjësitë që ka Berisha për korrupsionin dhe të vinte një lider, që ta hiqte ai Berishën nëpërmjet akuzës së korrupsionit, për përgjegjësitë që ka për premtimet që bëri më 2005 se do të zhdukte korrupsionin, por që nuk ndodhi asgjë. Kjo parti nuk mund të eliminojë Berishën me idenë se e duan amerikanët.

Një parti që s’guxon të luftojë korrupsionin, se është pjesë e korrupsionit, ka hall vetëm të vijë në pushtet pas katër vitesh me mbështetjen e amerikanëve. Pra, me ndihmë amerikane mund të vish në pushtet, pavarësisht se nuk e lufton korrupsionin. Në këtë kuptim, kjo është krejtësisht e gabuar dhe vihet në dyshim qëllimi i vërtetë amerikan. Unë kërkova dhe gjeta edhe dy figura shumë të rëndësishme të shpallura “non grata” nga SHBA, që ishin Netanyahu dhe një kryeministër indian. Që të dy kishin akuza të qarta, por që të dy i kemi parë pastaj në politikë. Por, dua të them që ka pasur akuza të qarta ndaj tyre, ndërsa në rastin e Berishës nuk ka akuza të qarta. Të gjykohesh, pa ditur akuzën, i thonë kësaj. Në këtë aspekt, i mëshoj idesë që Amerika nuk është se e ka Shqipërinë në agjendën e vet, për Shqipërinë ka shumë pak njerëz që merren, është krejtësisht jashtë. Unë këtu shoh mungesën e motivit, shoh ambasadoren që sillet në mënyrën më të çuditshme, dhe kam të drejtë të dyshoj se këtu kemi të bëjmë me përsëritje të zakonit që Rama e ka pasur edhe më herët, të përdorët ndërkombëtarët për të sulmuar kundërshtarët e tij politikë.



Skip to toolbar