Vendimi për Mediun nga gjyqtarja Saida Dollani, a do ketë rekurs nga ish-ministri?

Më të fundit


Gjyqtarja e vetme Saida Dollani vendosi të pranojë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për të rikthyer për rigjykim ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, që konsiderohet si një nga përgjegjësit për tragjedinë e Gërdecit.

Ligjërisht ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu i cili u mor në 2009 si i pandehur, ka të drejtën t’i drejtohet Gjykatës së Lartë me rekurs, pasi ky vendim i gjyqtares Dollani të zbardhet. Derisa Gjykata e Lartë të shprehet me vendim përfundimtar, nuk mund të rinisë gjykimi në Shkallën e Parë. Nëse z. Mediu nuk e ushtron të drejtën e rekursit, atëherë mund të nisë gjykimi.

Nuk mund të parashikohet sa kohë do të duhet. Sikurse dihet Gjykata e Lartë është e tejmbushur me dosje, megjithatë në çështje të tilla ka një lloj përparësie. Nëse Mediu nuk ushtron të drejtën e rekursit, koha e hapjes së gjykimit për një nga dosjet më të rëndësishme mund të nisë më shpejt në Gjykatën e Posaçme.

Në një proces të zhvilluar në 2009-2010-2011 e në vijim janë dënuar një numër i madh personash që janë konsideruar fajtorë. E vetmja dosje që ishte veçuar, kishte të bënte me ish-ministrin Mediu sepse në ligjin e kohës në 2009, parashikohej që zyrtarët e lartë gjykoheshin nga Gjykata e Lartë. Dosja u dorëzua nga Prokuroria e Përgjithshme në Gjykatën e Lartë, z. Mediu fitoi imunitetin e deputetit dhe ndaj Gjykata e Lartë vendosi ta pushojë çështjen. Për vite me radhë Prokuroria nuk e ushtroi të drejtën për ta rifilluar këtë çështje.



Skip to toolbar