Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri priti sot në takim një delegacion të ODIHR-it kryesuar nga ambasadorja Urszula Gacek, shefe e misionit vëzhgues për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Mësohet se fokusi i diskutimit ishte raporti përfundimtar i monitorimit të zgjedhjeve të fundit parlamentare, konkluzionet dhe rekomandimet.
Gjatë fjalës së tij, Gjiknuri falënderoi përfaqësuesit e ODIHR-it për kontributin e tyre si në procesin e hartimit të reformës elektorale përpara zgjedhjeve ashtu edhe në monitorimin e mëpasshëm të procesit zgjedhor. Mes të tjerash ai konstatoi se zgjedhjet e 25 prillit ishin një hap i rëndësishëm përpara në përmbushjen e të gjitha detyrimeve për një proces në përputhje të plotë me standardet më të mira ndërkombëtare.
Duke e vlerësuar si shumë të rëndësishëm për procesin e dialogut politik rikthimin e opozitës në institucione, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste shprehu gatishmërinë e mazhorancës për t’u ulur sa më parë në tryezë me opozitën me synim adresimin e të gjitha rekomandimeve të lëna nga raportet e OSBE/ODIHR-it, përfshirë nevojë për depolitizimin e administratës zgjedhore.
Sipas Gjiknurit, dialogu politik brenda institucioneve ka raste të shumta suksesi të kryerjes së reformave të rëndësishme bipartizane. Në këtë frymë, Gjiknuri tha se Partia Socialiste është e gatshme të ulet në tryezë dialogu me opozitën si për reformën zgjedhore ashtu edhe për atë territoriale.