Konferenca e Kryetarëve ka shtyrë ngritjen e komisioneve hetimore lidhur me zgjedhjet e 25 prillit apo me çështjen “Becchetti” pas kërkesës së Partisë Demokratike.
Ka qenë kreu i Grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla i cili ka kërkuar konsensus mes palëve.
“Kuvendi, në rastet kur kërkohet ngritja e komisionit hetimor nga një e katërta e deputetëve, ka detyrimin që të mos e diskutojë ngritjen e komisionit, por ia nënshtron diskutimit parlamentar shkallën e respektimit të parimeve kushtetuese në objektin e veprimtarisë së tij. Ky debat realizohet me qëllim gjetjen e një konsensusi ndërmjet palëve lidhur me objektin e hetimit, deri në arritjen e një vendimmarrje” – ka thënë Balla gjatë Konferencës së Kryetarëve.
Kujtojmë se javën e kaluar, Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend, kërkesën për të ngritur 3 komisione parlamentare. I pari lidhet me atë që opozita e quan masakër zgjedhore, 25 prillin, e dyta lidhet me çështjen “Becchetti” ndërsa e treta lidhur me denoncimet për inceneratorët.